Lerat Skiro/ Veritas.com.al/
Ata që nuk e dinë mirë gjuhën shqipe të thonë “haj se folim!”. Një mënyrë të shprehuri që të neverit. Edhe në këtë rast “folim”, por Berlini e ktheu kryeministrin si dhe delegacionin shqiptar, e duar bosh, pa “fillim negociatash” për hapat e mëtejshëm drejt BE.
Kjo ishte e tëra që iu intereson shqiptarëve të dinë. Madje kjo mund të jetë edhe nisja e një nismë për të ndryshuar ekipin qeveritar, ose edhe krahun politik që qeveris duke i ardhur së prapthi idesë dhe qëllimit kombëtar për të hyrë në grupin e shteteve të përparuara perëndimore që përbejnë Bashkimin Europian.
Kjo është ëndrra më e ndritur e shqiptarëve, portën e të cilës e hapi guximi i madh i studentëve dhe intelektualëve në vitin 1990 për të shembur regjimin anti- perëndimor komunist. Partia Demokratike që lindi nga ajo iniciativë e guximshme, u kthye në një lokomotivë të besueshme përparimi si për Europën edhe për qytetarët shqiptarë.
Faktikisht sot mbetemi vendi i fundit në Europën Juglindore ish- komuniste dhe në Ballkanin Perëndimor që na mbyllet porta për në BE. Kancelarja e Gjermanisë, Merkel, që kishte luajtur deri tani rolin e kumbarës për në BE, tha “Jo…Prisni, keni për të plotësuar edhe pesë kushte të tjera”.
Një nga kushtet është edhe “të shikojmë si do t’i bëni zgjedhjet parlamentare, do t’i masakroni apo çfarë!”. “Bathët” duken për masakër, përderisa është mbjellë gjithë kjo drogë e është grumbulluar gjithë kjo para publike në xhepat e qeveritarëve. Me kaq para këta mund të blejnë gjysmën e Kinës, e jo më votat e 1,5 milionë votuesve shqiptarë.
Por data e zgjedhjeve që i bie të jetë në verën e vitit që vjen, ka edhe një vlerë tjetër në sensin e “hajt, se folim…”. Ka peshën e një korrigjimi të “folmes” së kryeministrit Edi Rama, i cili pasi doli nga Merkel me duar bosh, mërmëriti nëpër dhëmbë dhe la për të nënkuptuar se “na dhanë shpresë për në dhjetor”. Jo, mor mik, ajo tha “të shikojmë zgjedhjet” e verës 2017… Ç’është ky mashtrim sy për sy! A mund ta hajë gënjeshtrën kaq sy ndër sy tërë ky popull që kryeministri e quan “dele”? Nuk besoj.
Kryeministri, pas faktit në dritë të diellit se “Gjermani dhe Europa thanë ‘JO’!”, ka thurur një merimangë të tërë me fije që këputen sa aty- këtu, veç për t’i mbushur mendjen vetes se “nuk është e vërtetë ajo që tha Europa përmes zonjës Merkel.
Ky tha se deputetët gjermanë janë “të mjerë”, “të skutave”; ky tha se “u lavdëruan sukseset”, ky tha se kanë “komplotuar” opozita dhe gjykatësit, ky tha se “jemi në rrugën e duhur”… Mirëpo për këto “haj se folim” sa të duash. Por kocka e çështjes mbetet kjo: Shqipërisë iu mbyll dera për në Europë. Ka akoma krim, ka prodhim e trafik droge, ekonominë të shkatërruar, papunësi në rritje, ka vjedhje nga qeveria, ka korrupsion, ka pasiguri… dhe nuk ka asnjë siguri për zgjedhje normale.
Po çfarë, qenkan deputetët gjermanë që kanë faj!?
“Folim!” për këtë e për çfarë të duash pas kësaj… Por qeveria na ka hedhur në gropë ku nuk mund të shikojmë Europë me sy. Kjo është çështja. Për tjetër gjë “folim”… Sa e shpifur ky degjenerim gjuhësor. Ashtu siç është e shpifur vetë gjuha qeveritare që pas dështimit thur merimangë fjalësh kot së koti.
/Veritas.com.al/