Gjatë 24 orëve të fundit ka rezultuar pozitiv vetëm një person, ndërsa 15 pacientë kanë fituar betejën me virusin e rëndë.

Pas më shumë se dy muajsh, kurba e situatës së koronavirusit në Shqipëri ka pësuar një rënie drastike.

Ministria e Shëndetësisë raporton se gjatë 24 orëve të fundit ka rezultuar pozitivë me koronavirus vetëm 1 person, duke e çuar në 949 numrin total të të infektuarve në vend.

Ministria e Shëndetësisë njofton se rasti i vetëm me koronavirus ka rezultuar në Tiranë, nga 177 testimet e kryera gjatë këtyre 24 orëve.

MSH bën me dije se rreth 78% e të infektuarve janë shëruar, ndërsa vetëm 176 persona janë aktualisht aktivë me koronavirus.

“Të shëruar janë 15 qytetarë. Në spitalin Infektiv, gjendja paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 15 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre në terapi intensive. Prej më shumë se dy javësh fatmirësisht nuk kemi asnjë humbje jete. Deri më sot janë kryer rreth 13 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 949 qytetarë. Prej tyre, rreth 78% janë të shëruar.

VERITAS.COM.AL/