Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Bledi Çuçi, gjatë vizitës zyrtare që zhvilloi në Romë, vizitoi Qendrën Kombëtare Kundër Krimit Kibernetik për Infrastrukturën Kritike të Italisë.
Kjo, për t’u njohur me metodat e reja të adresimit të kësaj forme kriminaliteti, e cila pashmangshmërisht na rrezikon të gjithëve.
“Italia ka një përvojë të vyer në këtë fushë dhe ne jemi të interesuar të transferojmë në vendin tonë dijen dhe ekspertizën më të lartë të tyre, sidomos në trajnimin e punonjësve të ardhshëm të qendrës SOC (Security Operations Center) që do të ngrihet në Policinë e Shtetit”, tha Çuçi.
Ministri bëri të ditur se, për sistemet digjitale dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike, gjatë këtij viti do të investojmë në Policinë e Shtetit 547 milionë lekë, plot 7.6 herë më shumë se viti i kaluar.
Më herët u bë me dije se do të nënshkruhet një marrëveshje binjakëzimi mes Akademisë së Sigurisë në vendin tonë dhe akademisë italiane të formimit të punonjësve të policisë.
Ky zhvillim theksoi ministri Çuçi, është një projekt shumë premtues për të rritur profesionalisht trupën tonë policore.
Gjatë takimit me homologun italian ministri shqiptar ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës, kontrabandimit të klandestinëve dhe sigurinë kibernetike.