Frrok ÇUPI
Të mos keshë shtet, apo shtetin ta keshë apendix!?, kjo është çështja…
Në qoftë se një komb nuk ka ende shtet, kjo nuk është e keqja më e madhe. Ne shqiptarët, të paktën, e kemi provuar. Kur na ra ta bënim atë provë historike, u vetqeverisëm mrekullisht mirë, për kohën, sipas kodeve dhe institucioneve parapolitike.
E keqja më e madhe është një shtet i tipit apendix. Ne ndodhemi nën hijen e një shteti të tillë…Më ndjeni, jo “nën hijen”. Sepse shteti apendix nuk bën as hije, shteti i këtij soji nuk është as ombrella, as është pema, as është shtëpia e qytetarëve të vet, siç edhe është ndërtuar shteti bashkëkohor që prej mjeshtrit John Locke. Locke, ky filozof i madh, “Babai i Liberalizmit”, solli fuqishëm në skenën politike e shtetërore idetë gjeniale të “qeverisë me konsensusin e të qeverisurve”, idenë e “shtetit natyror”, idenë e “shtetit të të drejtës për jetë” dhe “liri e pasuri”.
… Sa u largova prej realitetit, prej këtu deri te filozofët e shekullit 16, deri te humanistët e vërtetë dhe te ideja e shtetit natyral! Tmerr! Ideatorët e shtetit do të kishin shpallur falimentin e ideve po të kishin pasur rastin tragjik që të shikojnë një shtet si ky që po sajojnë këta të “Rilindjes” post pesëqind vjeçare. Këta po sajojnë, pak nga pak, shtetin e tipit apendix. Domethënë një krijesë shtesë, një gjë që nuk është as trungu, as kolona, por shtesa.
E shikoni si është shtesa!?
Që nga emri “Rilindja” që pretendon se po bën shtetin. Vetë Rilindja e këtyre është një apendix; apendix që nuk dihet i kujt. I Rilindjes Europiane të Mesjetës? Nuk ka lidhje. Ajo ishte një frymë arti, nuk kishte të bënte me dhunë pushteti si këta… Apendix i Rilindjes sonë Kombëtare? Aq më pak ka lidhje me këtë. I vetmi Rilindas yni që kishte të bënte me paratë publike, ishte Naim Frashëri; por që askush nuk mundi ta akuzojë për keqpërdorues. Këta vjedhin fshehurazi dhe haptazi… Rilindja është veç një emër nga ku këta thonë se kanë dalë, dmth., kanë dalë si një Apendix.
A ka ky shtet strehë për të gjithë? Ja kategoritë që kërkojnë strehë e që nuk gjejnë: 1. Kategoria e të varfërve. Këta burgosen për një llampë elektrike, këta përbuzen, këta manipulohen dhe iu blihet vota sa për njëzet copë bukë furre… 2. Kategoria e studentëve dhe rinisë? Këta paguajnë djersën e prindërve për shkollë dhe në fund vërtiten rrugëve të papunë… 3. Kategoria e të papunëve? Këta kanë marrë lajmin e fundit nga qeveria se “duhen specialistë”, jo njerëz të zakonshëm për punë. Kush nuk është specialist, sipas kutit të qeverisë, duhet të vdesë për bukë… 4. Kategoria e të vetpunësuarve? Këta mbyten në taksa e në mjerim, ose në burg… 5. Kategoria e të dobtëve, e të sëmurëve? Këtyre iu merren fondet e caktuara dhe kthehen në tendera për qeveritarët… Shteti nuk është as pemë me hije, as shtrehë. Shteti është apendix, ajo gjëja e vogël që i ngjitet një gjëje tjetër.
A i pyet, vallë, ky shtet shtetasit e vet? Locke kërkonte që qeveria të ketë konsensus me individët e qeverisur, por kjo është larg. Shteti bën çfarë t’i vijë në dëshirën e tij. Shtrydh qytetarët e vet, keqpërdor pasurinë e shtetasve, fut në xhepin e tij gjithçka i del përpara. Askund nuk jep llogari, as në Kuvend, as në lagje e në bllok e në fshat e në qytet. Shteti nuk përgjigjet.
Cila është arsyeja?… Sigurisht që ka arsye. Ka një arsye parimore, mos t’u vijë çudi. Arsyeja është kjo: Shtetin këta nuk po e formatojnë si shtet normal, por si një organizëm, i cili nuk ka ku të përgjigjet.
Ku mund të përgjigjet ky shtet?
Në Partinë politike nga ku ka ardhur, nuk përgjigjet. Prej shtatë vjetësh lideri nuk është votuar në parti. Vetë lidershipi është një apendix, tjetër gjë është partia, tjetër këta. Qeveria është e Rilindjes, një krijesë e ndërtuar enkas për t’i dalë nga skema parisë ku është votuar dhe ku duhet të përgjigjet.
A mund të përgjigjet shteti para qytetarëve votues?
Veç pak ditë mbasi zunë fronet qeverisëse, këta deklaruan se fituan me një milion vota. Këta i quajtën “njëmilion shuplaka”, dmth., njëmilion që rrihnin dy ose tremilionë të tjerë. Që këtu, ideja e një apendixi brenda vetë popullit. Tani nuk kanë më as gjysmën e atij milionit. Edhe sikur t’i kishin, nuk duan t’i kenë. Sepse këta janë shtesa, apendixi, nuk duan të kenë ku të përgjigjen. Nuk ka më njëmilion.
A mund të përgjigjet shteti në Kuvend?
As këtu nuk ka altar. Në Kuvend kanë prurë shumë kriminelë; kriminelët përjetojnë psikozën e të pandehurit. Të pandehurit janë gati të ngrihen më këmbë sapo bie çekiçi i gjyqtarit. Edhe deputetët kriminelë të prurë enkas këtu, jetojnë me instinktin e të të pandehurit, për t’u ngritur menjëherë më këmbë. Qeveria mbështetet te këta dhe sa herë i thërret këta ngrihen më këmbë. Për të tjerë nuk ka vlerë, shteti është apendix, nuk është i tërë.
Brenda vetë shtetit apendiks, ka qindra apendiksë të tjerë. Ata që bëjnë punët nuk janë as ministrat, as të tjerët që janë zgjedhur dhe janë shpallur publikisht. Brenda tyre janë disa hije, ose disa apendiksë të tjerë. Aty në mes tyre është dikush që i bën me sy kryeministri dhe të zgjedhurit zbehen. Pastaj bën me sy në anën tjetër dhe përpilohet një tender me qindra milionë euro. Po të mos e firmosë ministri, ministri fluturon menjëherë; dikush tjetër, apendiks më i vogël i ka vënë minën. Pastaj vijnë gratë e kryeministrit. I shikon nëpër kafe, si gruan aktuale edhe gratë e mëparshme që kurdisin pushtet dhe përbëjnë apendiks të veçantë. Diku është emëruar një “kryeministër i Jugut”, i cili nuk ka ku të japë llogari, sepse nuk kemi “Republikë të Jugut” as të Veriut; por kryeministri ekziston. Diku një deputet largohet si inkriminuar, por pastaj vë në rrjesht ministrat…
Kështu separatohen e vargëzohen apendiksët, njëri pas tjetrit. Derisa shkon te një apendiks vdekjeprurës, që quhet Sorros. Të gjithë po thonë se Sorrosi qeveris Shqipërinë. Nuk ka vlerë as se ky individi Sorros “është i mirë”, as se është i keq, por është shtet apendiks. Është i pa votuar, i pa zgjedhur, i pa emëruar publikisht. Është apendiks.
Veç tre elementë mungojnë në këtë rrëmujë apendiksësh që këta e vargëzojnë dhe i quajnë shtet. Tre elementët: Popull, Ligj, Sovranitet. Dhe një element që do të quhej luks: Teoritë gjeniale sipas John Locke dhe principet europiane për ndërtimin e shtetit. Këta nuk janë më.