Frrok Çupi/

Shteti shqiptar kishte kohë që po sillej si Madonna ndaj Shteteve të Bashkuara dhe presidentit të saj. Më në fund u “idhnu” dhe tani nuk ka të drejtë as t’i bëjë një telefon Aleatit…

… Po të ishte shtet, sigurisht, Madonna nuk do të sillej siç u soll në rrugët e Washintonit kur kërcënoi të bombarojë Presidentin. Ajo shprehu  vetëm përgjegjësinë e saj; fansave nuk iu bëri thirrje për dhunë. Disa nga “yjet” e artit në Amerikë u vet-ndëshkuan duke u shfaqur aq  egër kundër Donald Trump. U ngrefën se do të lënë Amerikën, po asnjë prej tyre nuk ka lëvizur nga luksi ku i zuri hera. Edhe më i egri mes tyre, De Niro, dje i thoshte zonjës Meryl Streep “enough is enough!”. Situata e “yjeve” kaq ishte.

Madonna si “Madonna”, është veç një spektër ngjyrash në botën tonë. Po shteti?

Përveç botës normale, (ku u radhitën shtetet e Europës, institucionet e BE, shtetet e Lindjes, shtetet e Afrikës, shtetet e Lindjes së Largët dhe të Kontinentit Amerikan), që uruan Amerikën për Presidentin e ri,-  u shfaqen tre lloje të tjera, të anormalitetit:

I pari, lloji i “Madonnës” artiste, që nuk është shtet dhe as ka lidhje me përfaqësimin politik.

I dyti, lloji i Kim Jung Un në Korenë e Veriut, i cili nuk ishte surprizë për botën. Ai është i vetmi që bën çfarë do vetë. Në vigjilje të Vitit të Ri ai kërcënoi presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara se po fillon provat e raketave balistike interkontinentale me të cilat “do të sulmoj Shtetet e Bashkuara”. Ky edhe mund ta bëjë, i çmendur është, por i vetmi i llojit të vet.

I treti, shteti i llojit “Madonna” në Tiranë. Kryeministri i Republikës nuk dërgoi asnjë fjalë në Amerikë që ta uronte për Inaugurimin e Presidentit të ri. Kjo nuk ka ndodhur as mund të jetë menduar që nga viti 1991 ku Shqipëria u çlirua nga nazizmi komunist. Para se të vinte dita e fitores së Presidentit Trump, kryeministri i Shqipërisë kishte folur botërisht për një “rrezik”. Për “rrezik” foli edhe Kim Jung Un, por jo me të njëjtin sens. Ky i Tiranës tha se “zgjedhja e Trump është rrezik për Amerikën, jo për mua…”. Mitomania e çon individin deri aty sa ta krahasojë veten me shtetin e Amerikës: Ai shtet dhe Unë- Edi, baraz! Shteti i Shqipërisë nuk është një shtet terrorist dhe as rrezikon me raketa. Nuk mund të thuash as se Shqipëria u bë  “shtet anti-amerikan”, pse kryeministri është ndarë përfundimisht nga Shtetet e Bashkuara.

Fenomeni “Madonna” ka lidhje dhe efekte të çuditshme dhe interesante:

Nga mënyra femërore e “Madonnës”.

Kryeministri po vazhdon të përkëdhelet mes George Soros, Hillary dhe Trump. Akoma nuk ka besuar se Trump është Presidenti. Me siguri sheh filxhanë, sikur Soros do at rrëzojë. Ky vjen nga një edukim intrigash në bllok dhe iu beson. Është një krizë.

Nga separatizmi shtetëror që kryhet në majë të pushtetit.

Kryeministri ka bërë split prej Presidentit, prej kryetarit të Kuvendit, prej kryetarit të Opozitës- të gjithë kanë uruar. Jo pse e ka zgjedhur, por ka mbetur i vetmi qeveritar separatist i Globit ndaj Shteteve të Bashkuara. Edhe India uroi, edhe autokratët, edhe NATO, edhe BE, edhe Tuaregët.  Kryeministri ka degjeneruar konceptin e separatizmit. Kanë separatuar ata të Shin Fein në Irlandën e Veriut që në vitin 1905, por si përfaqësim popullor, i dytë për nga numri në Britaninë e Madhe. Ka separatuar Kosova me studentët në vitin 1981, por në emër të lirisë së popullit. Ka separatuar “Brexit”, por në emër të vullnetit të Anglezëve. Kryeministri i Tiranës ka separatuar në kundërshtim me të gjitha. Ai është i vetëm dhe nuk mund të jetë më kryeministër i disa individëve ose masave të tjera. Mund të jetë vetëm fenomeni “Madonna”.

Nga mënyra si shteti humb Aleatin e madh.

Nuk mund të quhemi “anti-amerikan” edhe pas kësaj që bëri qeveria. Por po humbim Aleatin më të Madh në gjithë historinë e shtetit shqiptar. Përderisa kryeministri ka humbur të drejtën që ti bëjë një thirrje telefonike Aleatit të kombit…  Bota na njeh bashkë me Amerikën, fatmirësisht. Para vitit 1919 të preidnetit  Willson, historiografia perëndimore na konsideronte “black hole”. Jemi një komb pa farefisni, lidhja me Amerikën nuk mund të preket. Atëherë ndahen punët: Kush është me Amerikën duhet të ketë kryeministër me Amerikën, ndryshe nuk ka as kryeministër!.

Nga mënyra e humbjes së përfaqësimit:

Që nga ky moment, Shqipëria nuk ka një sistem përfaqësimi. Këta rreth e rrotull po thonë se “ka luftë në Veri”. Ka apo nuk ka- punë tjetër; por kombin nuk ka kush e përfaqëson. As në inondatat e motit. As në Kuvendin e Shqipërisë… Sepse qeveria nuk përfaqëson më popullin. Populli është tërësisht me Amerikën dhe Presidentin; ndërsa qeveria- jo… Qeveria nuk ka përfaqësim në Kuvend. Kuvendi është tërësisht me Amerikën dhe Presidentin; qeveria jo… Qeveria nuk ka përfaqësim brenda Partisë së vet. E majta socialiste, nga ku ka dalë qeveria, do të donte të fitonte Hillary, por tani edhe Partia Socialiste është me Amerikën e Donald Trump.

… Në historinë e shteteve, kur dy përplasen, njëri dorëzohet. Këtu jemi!

/Veritas.com.al/