Frrok Çupi/
A themi e lutemi e falemi “për Europë!”? A bën gara politika kush merr ‘një hajmali’ nga Europa që të fitojë pushtetin në Shqipëri!? . A ia mbushën mendjen popullit se ‘jemi ne të politikës së re që po iu hapim dyert për Evropë!….
Nëse kjo është e vërteta jonë, atëherë, çfarë?… Vetëm kaq?
Sot duhet të themi se Aleanca jonë me Europën është 555 vjeçare,
Sot- të paktën- të gjithë shtetarët dhe honoret kombëtare duhej të ishin në Kepin e Rodonit, ku është kisha dhe njëkohësisht ‘pika’ jonë më e afërt me Europën. Nuk është vetëm pika më e afërt gjeografike; është momenti kur ‘Mbreti’ i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti (Skënderbeu),- si të ishte edhe një kapiten i anijes së kohërave,- që nga Rodoni lëshoi spirancën e parë për ta ankoruar kombin tonë me Europën…
Në 29 tetor 1463, 555 vjet më parë, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, me bashkëpunëtorët më të afërt, në kishën e Shën Mërisë në Rodon, vulosi letrën e tij dërguar Papa Piu 11, ku për herë të parë në jetën e kontinentit, garantoi lidhjen e Arbërisë me Aleancën Ushtarake Europiane. Aleanca e vulosur në 29 tetor 1463 nisi të funksionojë menjëherë.
“Ne, Gjergj Kastrioti- Skënderbe, zotëruesi i Shqipërisë… që të mund të jemi pjesëmarrës të së mirës aq të madhe dhe të meritueshme…”, shkruan Gjergj Kastrioti dhe ia beson letrën për Papën të dërguarit Martin Muzaka…
Kjo mund të ishte dita jonë Kombëtare e nominuar për Europën. Nuk ka datë tjetër më fillestare dhe themeltare për orientimin tonë drejt ‘të mirës të meritueshme’ siç e quan vetë Gjergj Kastrioti- Skënderbe… Po ta kishin kombet e tjerë rreth nesh një ‘Rodon’ me spirancë ‘për Europën’ që në vitin 1463, ata do ta na e kishin imponuar të gjithëve si një nderim kontinental…
Ne ishim kombi i parë i Lindjes që vulosëm Marrëveshjen me Europën, në Rodon.
Sot, në 29 tetor, të gjithë shqiptarët e Gjergj Kastriot- Skënderbeut, perceptohet se ndodhen në Kepin e Rodonit, te kisha e Shën Mërisë, me sy nga Europa. Që atëherë është garantuar orientimi ynë.
Por dilemat lindin edhe nga ngurosjet e përjetshme të fateve të kombit- siç është kombi ynë- fat që u nguros i patundur me orientim drejt Europës pikërisht që këtu nga Rodoni.
Dilema e parë është se kush ka futur duart dhe ka ngatërruar sistemin e vlerës për kombin tonë? Për cilin ‘Kep’ është më i interesuar shteti, për Rodonin, apo – për shembull- disa investime të përfolura nga presidenti i Anadollit?! Sigurisht, askush nuk i ka vënë përballë këto dy vlera dhe të zgjedhë mes tyre, por në nën-ndërgjegje funksionon harresa për ditën themeltare historike të Orientimit në të kundërt prej Orientit, që është shënuar në Rodon. S’ka rëndësi nëse futi dorën dhe e ngatërroi vlerën një premtim turk apo një injorancë historike, por fakti është se shteti nuk celebron Ditën e fatit të vet. Kjo është dilema: pse? Asnjë nga shtetarët nuk është nisur sot për në Rodon.
Dilema e dytë, mbi vogëlsinë e shtetit.
Shteti nuk është i vogël pse ka vetëm kaq popullsi e kaq territor- për të cilin derisa u bë Kosova shtet thuhej se ne ishim shteti më i vogël, e tash më i varfëri në Europë. Shteti, në perceptimin e parë të individit, është ai grup i vogël njerëzish të zgjedhur që ta ruajnë nga inondatat dhe t’i japin krenarinë e merituar- duke vendosur vlerën e kombit aty ku ka vendin. Sot e ka në Rodon, në emblemën ‘Shqipëria shteti i parë lindor që lidhi Aleancën Ushtarake me Europën”… Shteti është i vogël kur zvogëlohen shtetarët e vet; mes nesh nuk jemi më as sa shteti i Gjergj Kastriotit- Skënderbe; as sa ajo hapësirë e vogël e kishës së Rodonit ku me tre a pesë vetë u vulos lidhja me Europën në 1463, 555 vjet më parë. Pse është zvogëluar kaq shumë shteti ynë? Se shtetari ‘punon’ nga mëngjesi në mëngjes për veten e tij, fatkeqësisht ‘xhepi e tij’; shtetarët nuk kanë interesa ‘spirancash’ dhe as shpresash për kombin- sa larg janë. Shteti po merret me pavlefshmërinë e vet, ‘Tahiri’, ‘Babalja’, ‘Rrumpallja’…, nuk ka mendje për vlerën… Më në fund, edhe territoret në pronësi të kombit mund t’i shkëmbejnë për pushtetin personal… ja ky është ‘shteti i zvogëluar’.
Dilema e ‘shtetit të varfër’.
As kjo nuk mund t’u japë të drejtë shtetarëve që ta lënë kombin pa celebrimin e ditës themelore të orientimit në Europë. Shtetarët që nuk bëjnë asgjë për të mos e lënë shtetin të varfër, të paktën të mos e lënë pa ‘Nderin e Kombit të Parë’ me vështrim kah Europa. Se edhe në një familje ‘me pak gjë’- sipas traditës sonë, bëhen të gjithë nderet që na takojnë… Festën e Rodonit, mundi ta bëjë një individ. Ja fakti: Një individ ka mbledhur dje në Rodon 25 miq, historianë, shkrimtarë, adhurues- të gjithë që i përkasin edhe sot Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Alfred Duka, nipi i Pjetër Perlatit ( Duka)- ambasador e bashkëpunëtor i Skënderbeut, abat i Arbrit, që nënshkroi bashkë me Gjergj Kastriotin në kishën e Rodonit,- vetëm nipi i tij mblodhi miq dhe kremtoi datën e parë të Aleancës së shqiptarëve me Europën… Një individ e bën, shteti nuk ndodhet aty ku duhet të jetë… Ja kaq.
Veritas.com.al/