Familja e famshme e fotografëve, Marubi, humb trashëgimtaren e ‘dinastisë’ së famshme shqiptare.
Tereza Marubi, e bija e fotografit Gegë Marubi, ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë. Duke qenë e bija e ‘të fundit’ të Marubëve, ajo u rrit me dashurinë për fotografinë që në moshë të vogël, në studion e familjes.
Në vitet 2004-2010 punoi si specialiste kimiste për mbrojtjen e negativëve pranë Fototekës ‘Marubi’. Vajza e e vetme e Gegë Marubit, Tereza, u bë inxhiniere, drejtuese fabrike dhe në vitin 1990 kryetare e Bashkisë së Shkodrës.
Familja shkodrane Kodheli, trashëgoi mbiemrin, profesionin e pasionin e italianit Pietro Marubbi, i cili rreth vitit 1850 mbërriti në Shkodër, duke i dhënë jetë dinastisë së mirënjohur.
Dinastia Marubi ishte dëshmitare dhe përçuese e ngjarjeve më të rëndësishme të Shqipërisë, duke lënë si trashëgimi mbi 200 mijë negativë filmi dhe fotografi, të cilat përbëjnë mbase thesarin më të shquar të vendit tonë.
Në vitin 1972, u zhvillua farsa e faljes (dorëzimit) nga Gega organeve shtetërore të Fondit Marubi prej rreth 200.000 fotografish në letër, xhama dhe negativë (celuloid). Diçka të papëlqyeshme për diktatorin mendohej se kishte brenda tij, prandaj, ndoshta, u kërkua fondi, i cili u mor nga përfaqësuesit e shtetit pa proces-verbal dhe pa numërim. Shpejt u inskenua edhe letërkëmbimi i shtirë, i shpërlarë, por i detyruar i fotografit plak me diktatorin që mbushi faqet e shtypit të vetëm shtetëror.
10 Mar 2023