‘Situatë groteske nga njerëz që nuk dinë ku kanë kokën’, kështu e ka konsideruar kryeministri Edi Rama atë që po ndodh në PD, ku demokratët janë përçarë tashmë në dy kampe, ata të Sali Berishës dhe ata të Lulzim Bashës, ku secili pretendon se ka drejtimin e partisë më të madhe opozitare në vend.
Në një konferencë për shtyp, ku bëri bilancin e qeverisjes për vitin 2021, Rama tha se Berisha dhe Basha po e çojnë PD drejt shkatërrimit ‘të merituar’, një fund i përgatitur prej vetë atyre prej vitesh pasi, sipas kreut të qeverisë, kanë bërë prej vitesh të njëjtën gjë duke shpresuar për rezultate të ndryshme.
Këto ishin ‘deklaratat’ e fundit të Ramës për PD-në, teksa u kujdes të theksonte se nuk do të merrej më me Bashën apo Berishën dhe se kohën e tij do ta kushtojë qytetarëve të thjeshtë.
“Do të bëj çmos që të shkoj më afër njerëzve dhe politika të bëhet sa më shumë një mjet në funksion të njerëzve totalisht përtej të majtës dhe të djathtës. Siç po bëjmë dhe po shohim frute me rindërtimin ku nuk ka të majtë e të djathtë por shqiptarë që duhen mbrojtur, këtu do të forcojmë sa të mundemi këtë marrëdhënie duke braktisur llogoren e përplasjeve absurde dhe konfrontimin me palë që nuk dinë ku kanë kokën e tyre dhe jo më të kenë kokë mbi supe për të dhënë mendime për vendin në këtë fazë. Situata është sa e rëndë sa dhe qesharake , një situate groteske ku marrëzia dhe egërsi bashkohen bashkë dhe janë fatkeqësi e madhe por ne nuk kemi asnjë mundësi që ta ndryshojmë atë trajektore marrëzie dhe e vetmja gjë që na takon të bëjmë është të shkojmë te njerëzit përmes këshillimit kombëtar, i cili do të jetë një instrument më shumë”, tha Rama.