Sot është Ditë Zie kombëtare në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë në Gjermani, pas një sëmundje. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

Ceremonia zyrtare e homazheve po organizohet, në mjediset e institucionit të Presidencës. I pari që ka kryer homazhe, ka qenë kreu i shtetit Ilir Meta i shoqëruar nga vajza e tij e madhe.

Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë për vitin 2022.

Trupi i ish-presidentit do të shoqërohe nga një kortezh mortor deri te Ura e Lanës e më pas do të përcillet për në varrezat e Sharrës në Tiranë.

Ish-Presidenti i gjashtë i Republikës së Shqipërisë post-komuniste, Bujar Nishani, ndërroi jetë 3 ditë më parë, pasi prej javësh ishte i shtruar në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i kishte lënë në organizëm. Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID i lanë me shenja pneumonie në mushkëri.

Gjendja e tij u stabilizua për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua. Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.  Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017, ndërsa bëhet presidenti më i ri në moshë që ka ndërruar jetë në Shqipëri.