(Pamje nga salla ku është mbledhur Asambleja)/
Asambleja e 7 e Përgjithshme Zgjedhore në Federatën Shqiptare të Futbollit filloi punimet në orën 09:00 të ditës së sotme në hotelin “Adriatik” në Durrës.
Nga kjo Asamble do të zgjidhen, nga presidenti e deri te anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjithsej do të jenë 66 anëtarë të FSHF-së pjesëmarrës, që do të kenë në dispozicion po kaq vota për të ndarë fillimisht mes 3 kandidatëve për postin e presidentit.
Armand Duka, presidenti aktual i FSHF-së, do të jetë një nga kandidatët dhe përballë tij do të jenë deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, dhe ish-arbitri i futbollit, Shpëtim Halo.
Tensioni mes Dukës dhe Finos është manifestuar që në hapat e parë, duke ardhur deri në akuza për ‘përdorim kriminelësh’.
Presidenti i ri zgjidhet me 2/3-at e votave, e në rast balotazhi, më pas do të mjaftojë shumica e thjeshtë (50%+1) për të shpallur presidentin.
Që nga koha kur në Federatën Shqiptare të Futbollit, organet drejtuese zgjidhen në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nga politika, vetëm një herë procesi zgjedhor ka kaluar në balotazh. Bëhet fjalë për vitin 2002, kur u zgjodh për herë të parë në krye të FSHF-së, Armand Duka, të cilit për të mundur rivalin e tij Mehdi Bushati iu desh të kalonte në balotazh.
Por, nëse në zgjedhjet e kaluara presidenti aktual u zgjodh thjesht me duartrokitje, pasi nuk pati rivalë, në këtë fushatë, gara ka qenë e fortë. Statusi i politikanit të kandidatit Fino ka sjellë akuza nga rivali i tij Duka për ndërhyrje politike, por UEFA dhe FIFA kanë kërkuar herë pas here që procesi t’i përmbahet rregullores sportive.
Edhe për këtë arsye, dy organizmat më të mëdha të futbollit europian dhe botëror kanë sjellë përfaqësuesit e tyre pasditen e së martës, për të qenë të pranishëm në Asamblenë Zgjedhore dhe, siç thonë edhe ata vet, urojnë që të shohin një proces zgjedhor demokratik.
Pas përfundimit të procesit zgjedhor për president, në Asamble do të zhvillohet votimi për 9 vendet e Komitetit Ekzekutiv, e për këto vende janë në garë 23 kandidatë.
Veritas.com.al/