Javën që vjen pritet të shënohet arritja më e madhe e reformës në drejtësi: Këshilli i Lartë i Prokurorisë nesër do të emërojë tetë anëtarët e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, duke i hapur rrugë luftës kundër korrupsionit. Por kush janë 8 emrat që do të kenë në dorë fatin e pushtetarëve shqiptarë?

Gazeta ka bërë një përshkrim të karrierës së gjithsecilit, duke filluar nga futja e tyre në sistemin e drejtësisë, deri tek dosjet që kanë hetuar ndër vite. Kështu një nga 8 anëtarët e Prokurorisë Speciale është prokurori Arben Kraja, i cili është 47 vjeç dhe me origjinë nga Shkodra. Zoti Kraja aktualisht është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë që u kthye në vëmendje të medias disa vite më parë, kohë kur hetoi Lulzim Bashën, në atë kohë ministër i Jashtëm, por që iu nënshtrua hetimeve në pozicionin e ish-ministrit të Transporteve. Basha së bashku me ish-zyrtarë të rrugëve, u vendos nën përgjegjësi për rrugën Durrës-Kukës. Basha i shpëtoi akuzave falë Gjykatës së Lartë. Arben Kraja është konfirmuar në detyrë dhe flet 3 gjuhë të huaja.

Prokurori që hetoi Gërdecin

Një tjetër emër i njohur që do të bëhet pjesë e SPAK është prokurori Altin Dumani. Ky i fundit është 45 vjeç, me origjinë nga Shupenza e Dibrës dhe njihet si prokurori i pakompromis. Zoti Dumani bëri bujë me qëndrimin e ftohtë që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008. Po ashtu, një tjetër emër që pritet t’i shtohet SPAK është prokurori Klodian Braho, i cili me origjinë është nga Skrapari dhe 37 vjeç. Me qetësinë që e karakterizon Braho, po ashtu magjistrat, e nisi karrierën në njësitë antikorrupsion në Vlorë, ku spikati me hetimin ndaj ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika, një gjykim i cili për shkaqe sigurie u zhvendos që të kryhej në kryeqytet. Sakaq, zoti Braho hetoi dhe arrestoi për korrupsion ish-gjyqtarin e Apelit, Shkëlqim Miri dhe ka vendosur sekuestro ndaj aseteve pasurore të ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të cilin gjithashtu e ka nën hetim për korrupsion.

SPAK-ut pritet t’i bashkohet edhe prokurori i Shullazit

Një tjetër emër i njohur që do të bëhet pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion është prokurori Ened Nakuçi. Ky i fundit është një nga prokurorët e dosjes “Shullazi” dhe prej vitit 2004 ka punuar si prokuror te Krimet e Rënda. Po ashtu, një tjetër emër që pritet t’i shtohet SPAK është prokurori Edvin Kondili. Ky i fundit është prokuror i Krimeve të Rënda, që ka pasur gjithashtu në dorë dosje të rëndësishme. Kondili është mes prokurorëve që refuzuan shortin për dosjen Shullazi. Prokurori Kondili ka hetuar më parë dosjen e vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjithashtu, Kondili është prokurori që ka bërë veprimet e para për sekuestrimin e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Kondili ka një sërë çështjesh të trafikimit të kanabisit, por edhe dosje të tilla si “Lazarati”, por edhe dosjen e Alket Hatijas.

Ndërkohë, një tjetër prokuror që pritet t’i bashkohet SPAK është Behar Dibra. Ky i fundit është ndër prokurorët që ka hetuar kryesisht vrasje. Dibra ka pasur në dorë çështjen e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, së bashku me prokurorin Besnik Muçi. Po kështu, Dibra ka qenë pjesë e disa dosjeve të vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare.

Veritas.com.al/