
TIRANË- Këtë të mërkurë, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajona Xoxa do të njihen zyrtarisht me akuzat e SPAK. Veliaj mbahet në paraburgim prej 10 shkurtit, ndërsa Ajola Xoxa nën masën “detyrim paraqitje”.
Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj nuk do të jetë i pranishëm në seancë për t’u njohur zyrtarisht me akuzat. Gazetari i ABC News, Ermal Vija, raporton se akuzat e Prokurorisë së Posaçme do t’i komunikohen në paraburgimin e Durrësit.
Edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa e akuzuar gjithashtu për pastrim parash, korrupsion e mosdeklarim pasurie, u njoh me akuzat zyrtarisht të mërkurën në orën 9:00.
Këtë të mërkurë SPAK i ka komunikuar akuzën e fshehjes të të ardhurave edhe biznemenit Mirton Lika që rezulton i përfshirë në dosjen “Veliaj”. Në bazë të hetimeve rezulton se Lika i ka dhenë një zyrë bashkeshortes se Veliajt, Ajola Xoxa, me kontratë hua përdorimi, por Prokuroria e Posaçme dyshon se është veprimtari e paligjshme.
Bëhet fjale për një zyrë në godinën “Sky Tower” në zonën e ish-bllokut, ku u ushtruan kontrolle përpara disa muajsh nga oficeret e BKH. Ajola Xoxa në këtë godinë zotëronte disa zyra për disa aktivitete të saj nga galeria private “Harabel” te zyra juridike “Partners Low”.
Burime jo zyrtare konfirmuan ndërkohë se dosja është drejt mbylljes dhe pritet dorëzimi në Gjykatën e Posaçme me kërkesën për nisjen e gjykimit. Nga hetimet ka rezultuar se Veliaj në cilësinë e kryetarit të bashkisë ka ngritur një skemë të mirifilltë kriminale në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxën, biznesmenë dhe organizata jo fitimprurëse të lidhur me të, për përfitmin e shumave monetare./
Komente