Zyra e kadastrës në Vlorë nuk është asnjëherë e qetë! Sot prokurore nga SPAK kanë kryer nje mësymje tjeter.
Akuzat për abuzime me tokat në bregdet janë të shpeshta dhe të forta. Ndërkohë që kadastra e Vlorës është institucioni shtetëror më problematik. Drejtuesit e kësaj zyre nuk qëndrojnë gjatë në detyrë. Pas disa muajsh ata largohen për shkak se nuk mbajnë dot mbi supe presionin e madh që ushtrohet nga grupet e interesit që nga biznesi deri tek krimi i organizuar. Në dy vjet janë ndryshuar 14 drejtorë, disa kanë qëndruar vetëm tre ditë në detyrë ndërsa më i fundit ka 9 muaj dhe sot është larguar nga detyra Klodian Troci dhe në vend të tij është emëruar Reinard Meta.
Por ndërkohë, kadastra e Vlorës është në shënjestrën e SPAK për shkak se shumë dosje korrupsioni janë përplasur pikërisht atje. Dhe bëhet fjalë për tokat dhe pronat në bregdet. Prokurorët dhe hetuesit e SPAK ndodhen në këtë kadastër sot për të marrë dokumente që tregojnë korrupsionin e zyrtarëve të lartë apo edhe njerëzve të drejtësisë. Top Channel ka mësuar se një nga dosjet që SPAK kërkoi këtë të premte në kadastrën e Vlorës ishte dosja e pronave të prokurorit të Sarandës Sali Hasa, arrestuar për korrupsion.
Por ndërkohë, në SPAK janë shumë hetime të tjera penale për çështjen e pronave që gjurmën e kanë tek kadastra e Vlorës e cila mbulon pronat që përfshijnë gjithë vijën bregdetare që nga grykëderdhja e Vjosës deri në Kepin e Stillos në Sarandë. E gjithë kjo zonë është shënjestër e interesave korruptive dhe e krimit të organizuar ndërsa ndër vite janë dhënë vendime abuzive që kanë tjetërsuar pronat apo mbivendosur ato.