Kryeministri Edi Rama thotë se SPAK, është një strukturë e pavarur.

Në një konferencë për mediat, Rama u shpreh se është hera e parë që drejtësia vepron vetë, dhe jo sipas urdhrave nga politika.

“Së pari, SPAK ka ngjallur shumë polemika, siç shihet, sepse SPAK ka trazuar, një ujë të ndenjur prej 100 e kusur vitesh. Është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që ekziston një prokurori,  një grup prokurorësh, që bën atë që i thotë mendja, nuk ka pasur ndonjëherë, derisa sa është krijuar. Prokurorët dhe prokuroria kanë bërë çfarë i kanë thënë pushteti ekzekutiv. SPAK ka krijuar shumë polemika, që nga ata që thonë që janë shpëtimtarët e kombit, te ata që thonë është mjet represioni që e përdor Rama. Këta të dytët, unë i kuptoj që janë në hall, por nuk i ndihmoj dot. SPAK është e para strukturë drejtësie e pavarur në historinë e shtetit shqiptar.

Unë personalisht mendoj që detyra ime është që qeveria ta mbështesë SPAK pa kushte. Pa kushte, do të thotë që edhe kur mund të kemi edhe gjëra për të thënë, të mbyllim gojën, sepse bëhemi pjesë e një polemike që nuk e ndihmon SPAK të bëjë punën e vet. Më tutje, koha do të na tregojë, që sa dhe si gjërat ecin dhe a mund të bëhen më mirë akoma”, theksoi Rama.

Nëse ka dijeni që SPAK ka hapur sërish çështje për 21 janarin, Rama deklaroi: “Nuk jam në dijeni të ketë hapur çështje SPAK për 21 janarin, por nuk e fsheh që e pres këtë gjë me padurim, në sensin e një gjëje që është një nga pengjet më të mëdha që ka ky vend. Ai krim, më i madh i mundshëm shtetëror të zbardhet dhe përgjegjësit të ndëshkohen.”