Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka nisur një operacion të gjerë në të gjithë vendin, duke lëshuar 44 urdhër arresti.
Nga hetimet e SPAK-ut ka rezultuar se dy prej të cilëve u është dhënë masa “Arrest në burg”, kanë qenë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë, Gjirokastër dhe Tepelenë.
“Shtetasit Fejzo Meçaj dhe Adriatik Logli kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, njofton SPAK.
Siç bëhet me dije nga njoftimi i SPAK-ut, në këtë procedim penal janë hetuar shumë episode dhe një numër i madh personash të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikeve”, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Kultivimit të bimëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Njoftohet se për tre vite hetim, është provuar veprimtaria e kundërligjshme e pesë grupeve të strukturuara kriminale dhe 13 episode kriminale të trafikimit të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë dhe Lezhë.
Operacioni, i cili ka nisur që në mesnatë në qytetet e Shkodrës, Vlorës dhe Gjirokastrës, ka goditur të pestë grupet kriminale.
Në qytetin e Vlorës janë shoqëruar disa persona, si pjesë e grupit të dyshuar për trafik të narkotikëve.
Aksioni nga SPAK-u është kryer gjatë orëve të para të mëngjesit, ndërsa janë kryer kontrolle të shumta në banesa.
Sipas informacioneve, janë lëshuar 8 urdhër arreste në Vlorë, ku dhe disa persona të tjerë janë shoqëruar.
Kontrolle ka pasur gjithashtu në Tiranë, Durrës dhe Lezhë.