TIRANË- Partia Socialiste duket se ka menduar të zhvillojë një fushatë ndryshe për zgjedhjet vendore të 14 majit. Gazetarja e ABC News, Esiona Konomi, tha se selia rozë pritet të zhvillojë një “fushatë dietike”, ku gjysmën e fondeve që merr nga buxheti i shtetit nuk do t’i shpenzojë për të mbushur sheshet me njerëz, por këto para do t’i përdorë për mbjellje pemësh.

“Një fushatë dietike. Partia gjysmën fondeve që merr nga buxheti i shtetit, që mos ta shpenzojë për fushata të mëdha, por do t’i orientojë ato para në mbjelljen e pemëve. Gjysma tjetër nuk do shkojë për të mbledhur njerëz në shesh, por për të organizuar takime të vogla, ku në fokus është të reklamohen ato punime që ka kryer qeveria”, raportoi gazetarja.

Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri u shpreh pas mbledhjes së kryesisë se Partia Socialiste futet e sigurtë në këto zgjedhje. Por, pse ndihet kaq e sigurtë Partia Socialiste e Shqipërisë?

Gazetarja Konomi thotë se kjo bindje e socialistëve vjen për arsye se prej vitesh drejtojnë si qeverisjen qendrore ashtu dhe atë lokale, me përjashtim të Bashkisë Shkodër, e cila drejtohet nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia.

Ajo raportoi më tej se kjo “qetësi olimpike” e PS-së vjen edhe nga përçarja e opozitës, ku Partia Demokratike zyrtare ka hyrë pjesërisht në zgjedhje dhe dyshja Meta-Berisha janë në qendër të akuzave të socialistëve./abcnews.al