Një person ka hedhur lëndë shpërthyese në ndërtesën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Podgoricë, konfirmoi Qeveria e Malit të Zi.

Sulmi ndodhi në orët e para të ditës së sotme, thuhet në njoftimin e postuar në Twitter. “Një person i panjohur hodhi veten në erë ndërsa më herët kishte hedhur një mjet shpërthyes nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.

Qeveria tha se sipas gjasave ai ka hedhur mbi ambasadë një granatë dore por hetimet janë në proces. Ambasada amerikane në Podgoricë po ashtu e konfirmoi sulmin. Policia tha se nuk i di motivet e sulmuesit vetëvrasës.

“Ka ndodhur një incident”, tha një zyrtar i policisë për agjencinë Reuters, por nuk dha më shumë detaje. Nënsekretari amerikan për diplomacinë publike dhe çështjet publike, Steve Goldstein, tha se askush në ambasadë nuk u plagos”, raporton New York Times.

Fotografi i “Reuters” në Podgoricë tha se policia ka bllokuar rrugën ku ndodhet ambasada. Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës.

“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e saj të uebit.

Ambasada po ashtu i udhëzoi amerikanët që t’i shmangin tubimet e mëdha në kryeqytet dhe të monitorojnë mediat lokale për përditësime mbi situatën.

Veritas.com.al/