Pas më shumë se 24 orësh ndërprerje si pasojë e sulmit kibernetik të Iranit, sistemi TIMS është rikthyer në normalitet në 6 pika kufitare të vendit tonë. Sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, ku tashmë regjistrimi i hyrjeve dhe daljeve do të bëhet përmes tij dhe qytetarët nuk do të jenë të detyruar të presin në radhë të gjata.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka bërë me dije se sistemi që përdor Policia e Shtetit rezulton t’i jetë kthyer normalitetit edhe në pikat kufitare të Kapshticës, Kakavijës, Hanit të Hotit, Muriqanit, Morinës dhe Qafë-Thanës. Bëhet me dije se sistemi nuk është kthyer në Portin e Durrësit, atë të Vlorës. Për rikthimin e tij në normalitet të plotë, po punohet bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për rikthimin e sistemit ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka theksuar se pavarësisht sulmit, agresori nuk ia ka arritur qëllimit, ndërsa siguron se nuk ka pasur asnjë rrjedhje serioze të dhënash. Kreu i qeverisë pati edhe një koment për të gjithë kritikët, duke thënë se Shqipëria i rezistoi më së miri këtyre sulmeve, falë edhe mbështetjes së aleates më të madhe të vendit tonë, SHBA-së.

“Dhe përtej cinizmit e përqeshjeve tipike të klubit të madh të thashethemeve digjitale, ushqyer nga ulëritës profesionistë dhe kinse strategë marrëdhëniesh ndërkombëtare, Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm!”, shkroi Rama.