Kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, dënuan ashpër “dhunën e njësive paraushtarake serbe në veri të Kosovës, si dhe ‘heroizimin’ e tyre nga Beogradi.
Dy liderët u bënë thirrje kryeministrave të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Perëndimit të masa kundër Serbisë.
Rama, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Zagreb, tha në një konferencë për shtyp se “agresioni i forcave paraushtarake është po aq shqetësues sa edhe reagimi i Beogradit”.
“Kemi një krim, vrasjen e një punonjësi policie dhe kemi heroizimin e atyre që e kanë kryer”, tha Rama, duke shtuar se “nuk duhet të jetë e pranueshme pasi hkon kundër vlerave në Europë”.
Plenkoviç beson se këto lëvizje “nuk mund të mbeten pa përgjigje” dhe se vendimi i Beogradit për shpalljen e ditëve të zisë “pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ka ndodhur”.
Ai tha se do të vijojë një hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur, pas së cilës i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të propozojë masa.
Plenkoviç tha se Komisioni Evropian (KE) gjithashtu mund të miratojë masa në mënyrë autonome, pa pëlqimin e të gjitha vendeve anëtare, siç bëri disa muaj më parë kundër Kosovës.
Kryeministri kroat theksoi se është i sigurt se masat do të merren dhe Rama kërkoi që ato të zbatohen, siç tha ai, “pa humbur kohë”, sepse vendimi i Beogradit nuk lë vend për interpretime të ndryshme.