Mbyllet video-konfereca mes liderëve të BE dhe Zelenskyt, palët diskutojnë strategjinë për takimin nesër me Trump në Uashington…

Një ditë përpara takimit mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Europa ka demonstruar unitetin e saj politik dhe diplomatik, duke përcaktuar qartë vijat e kuqe ndaj Moskës dhe duke riafirmuar mbështetjen e plotë për Kievin. Ky takim në Uashington pritet të jetë një pikë kthese për të ardhmen e luftës dhe për ekuilibrat e sigurisë në kontinentin evropian.

Të dielën, në një videokonferencë të nivelit të lartë, liderët evropianë diskutuan me Zelenskyn për ecurinë e procesit dhe u informuan mbi rezultatet e takimit të fundit Trump–Putin në Alaska.

Përfaqësues të lartë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kancelarin gjerman, presidentët e Francës e Finlandës, kryeministrat e Italisë e Mbretërisë së Bashkuar si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në Uashington, duke i dhënë ngjarjes një peshë të jashtëzakonshme politike.

Mesazhi kryesor i kryeqyteteve evropiane ishte i qartë: nuk mund të ketë paqe duke ushtruar presion mbi viktimën, por vetëm duke rritur koston për agresorin.

Ministri i Jashtëm i Polonisë e formuloi qartë këtë qëndrim duke nënvizuar se Evropa do të mbetet e palëkundur në mbështetjen e Ukrainës. Në Bruksel janë vendosur tre parime bazë që do të shoqërojnë delegacionin evropian në Shtëpinë e Bardhë: garanci të detyrueshme sigurie për Ukrainën, refuzim kategorik i çdo marrëveshjeje që cenon integritetin territorial të saj, si dhe vazhdimi i mbështetjes ushtarake, ekonomike dhe politike për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, tha se “nëse nuk arrihet një armëpushim, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të rrisin presionin mbi Rusinë“.

E drejta sovrane e Ukrainës për të përcaktuar kushtet e saj për paqe duhet të respektohet”, shtoi ai në një postim në X.

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, tha: “Ekziston një konsensus i fortë midis vendeve të Koalicionit mbi nevojën për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën”.

Kryeministri çek Petr Fiala tha se koalicioni ra dakord që përparësia e menjëhershme duhet të jetë dhënia fund e vrasjeve.

Në të njëjtën kohë, Zelensky ka shpalosur vizionin e tij: një armëpushim i menjëhershëm është hapi i parë drejt paqes, i cili do të mundësonte hapjen e negociatave serioze.

Ai e bëri të qartë se Kushtetuta e Ukrainës ndalon çdo shkëmbim apo dorëzim territoresh, duke i mbyllur derën spekulimeve mbi kompromiset territoriale që kanë qarkulluar në disa kanale diplomatike. “Bisedimet duhet të fillojnë mbi bazën e vijës aktuale të frontit. Putini nuk ka arritur të marrë Donetskun për 12 vjet, kjo është dëshmia më e mirë e dështimit të tij”, deklaroi ai.

Zelensky theksoi gjithashtu se çdo negociatë territoriale duhet të zhvillohet në formate të qarta, duke përfshirë SHBA-në, Ukrainën dhe Rusinë. Nëse Moska refuzon, sipas tij, duhet të hyjnë automatikisht në fuqi sanksione të reja.

Nga ana e saj, Ursula von der Leyen i dha garanci publike Kievit se BE do të vazhdojë të ofrojë ndihmë në të gjitha nivelet. Ajo paralajmëroi gjithashtu një paketë të re sanksionesh kundër Moskës, nëse Kremlini nuk tregon vullnet real për paqe. Ky është një sinjal i qartë se Brukseli nuk do të tolerojë asnjë lloj marrëveshjeje që mund të interpretohet si shpërblim për agresionin rus.

Në këtë sfond, Trump shfaqet i etur të luajë rolin e paqebërësit. Takimi i tij i fundit me Vladimir Putinin në Alaska shihet si pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një bazë të re negociatash. Megjithatë, për udhëheqësit evropianë ekziston frika se ambicia e Trump për një marrëveshje të shpejtë mund të shoqërohet me lëshime të rrezikshme në kurriz të sigurisë evropiane dhe sovranitetit të Ukrainës. Prandaj, BE shkon në Uashington e unifikuar, për të mos lejuar devijime nga parimet themelore të rendit ndërkombëtar.

Dita e nesërme pritet të jetë kritike. Në tryezën e Shtëpisë së Bardhë do të përplasen tre vizione: dëshira e Trump për një marrëveshje të menjëhershme, vendosmëria e Evropës për të ruajtur vijat e kuqe dhe këmbëngulja e Zelenskyt që pa armëpushim nuk mund të ketë negociata reale. Nga ky ekuilibër delikat do të varet jo vetëm rruga e ardhshme e luftës, por edhe pozicioni i Perëndimit përballë Rusisë.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *