Nga: D.W.
-Kryeministri hungarez, Viktor Orbán është i lidhur me miqësi me ish-homologun maqedonas, Nikola Gruevski. Arratisja e Gruevskit në Budapest e vendos Orbánin tani para problemeve të mëdha-.
Historia mund të përdoret për një melodramë politike. Në fakt ajo është reale. Ajo ka të bëjë me rënien e madhe të një ish-kryeministri kriminel dhe se si një vend i BE, bëhet bashkëpunëtor i tij. Ish-kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, që ka qeverisur vendin e tij nga 2006 në 2016 me metoda autoritare dhe mafioze dhe është dënuar me dy vjet për korrupsion, ka fluturuar për në Hungari megjithëse i është konfiskuar pasaporta dhe ka kërkuar aty azil politik.
Mbetet e paqartë se si ka arritur ai të largohet. Që Gruevski ndodhet në Hungari, e ka treguar vetë ditën e martë me një postim në facebook. Ai shkruante: “Do i mbetem besnik Maqedonisë. Nuk dorëzohem kurrë.”
Shkupi konfirmon largimin.
Konfirmim zyrtar nga autoritetet hungareze për kërkimin e azilit nga Grueski nuk është bërë. I pyetur nga Deutsche Welle, një zëdhënës i qeverisë hungareze bëri të ditur se as nuk e hedh poshtë as nuk e konfirmon njoftimin për Gruevskin. Për procesin e azilit qeveria nuk mund të japë të dhëna deri në fund të procesit.
Konfirmimin për arratisjen e Gruevskit në Hungari e bëri dje në mbrëmje Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, e cila bëri të ditur se është informuar nga pala hungareze se Gruevski ndodhet në Hungari. Autoritetet maqedonase lëshuan njëkohësisht një urdhërarresti ndërkombëtar. Po ashtu Ministria e Jashtme e Maqedonisë thërriti ambasadorin hungarez në Shkup.
Megjithatë deri tani qeveria hungareze vazhdon me këmbëngulje të heshtë.
Veritas.com.al/