Nga: Laert Skiro/
Duket se dy partitë e mëdha parlamentare, PS dhe PD, tashmë janë vjetëruar duke u kthyer në establishment. Të dyja janë ngarkuar me qeverisje të gjata, me mëkate të mëdha, me demagogji dhe me interesa ‘për vete’ jo për zgjedhësit.
Kjo është kriza në establishmentin politik shqiptar.
Sot të dy palët janë përballur me ‘egërsi’ në Kuvendin e Shqipërisë, nëse mund të quhet egërsi një lojë e vogël me tabela e me pankarta. Përplasja ka ndodhur për shkak të ‘dashurisë’ për Europën. Të dy palët e duan njësoj, por të dyja grinden kundër njëra tjetrës. Secila e ‘dashuron’ Europën sipas interesit të vet; por secila ka qëllimin që ta vjelë për vete Europën.
Të dy palët e dinë se duke thërritur për ’për Europën’, sigurojnë pushtet më të gjatë me votën e votuesve shqiptarë. Euromania në Shqipëri është kthyer thuajse si një ‘dashuri për Stalinin’, kush dashuron ‘Stalinin’ qëndron më shumë në pushtet. Populli akoma voton për mitet, pavarësisht prej gjendjes së vet ekonomike e kulturore. Politika ‘kriminale’ e përdor këtë defekt të llahtarshëm të shoqërisë së prapambetur dhe bën si ‘hiena’, i hip në kurriz popullit që ‘do Europën’ dhe e bren pak nga pak. E bren edhe në emër të Europës, si dikur ‘në emër të popullit’.
Sot në seancën Parlamentare, maxhoranca PS kishte sjellë Rezolutën ‘për Europën’ që duhet miratuar me qëllim që të paraqitet në BE ku do të aplikohet për hapjen e negociatave me Europën. Opozita PD u përplas me PS për të njëjtën gjë, për Europën, me të njëjtën dashuri.
Por PD kishte sjellë pankarta “E duam Shqipërinë si Europa’. Kjo është parulla me të cilën PD antikomuniste shembi regjimin komunist në vitet 1990 e 922. PD, e cila ka humbur identitet, i është kthyer parullës së parë që në formimin e saj, por vetëm në këtë rast dhe me qëllim për të manifestuar servilizëm ndaj zyrtarëve të BE.
Në momentin kur kryetari i PD, Basha, ka qenë duke mbajtur fjalim, ‘çerrat’ deputetë kanë hapur parullën të shkruar në basmë dhe e kanë vendosur në tribunën e Kuvendit.
Në këtë rast, kryetari i Kuvendit Ruci është detyruar të mbyllë seancën parlamentare.
Por megjithëse seanca u mbyll, një gjë ka mbetur në zemrën e të dy palëve: “Dashuria” e njësojtë për Europën.
Të dy palët do të luftojnë përsëri, do të shahen, do të bashkëpunojnë, do të mbjellin e transportojnë drogë, do të shkelin e popullin e tyre, me të njëjtën parullë: “Unë e dua më shumë Europën”.
Veritas.com.al/