Frrok Çupi/
Domethënë askush nuk është i lirë. Kemi humbur qendrën, s’e dimë ku është qendra e ku periferia. Kjo është më në fund, e tmerrshme. Ndryshojnë vetëm varësitë. Nganjëherë varemi te i pushtetshmi, nganjëherë te më i dobëti…
Nuk e patë çfarë ndodhi kësaj here në Dibër?! Dibra është më e dobëta, më e sfilitura, më e harruara. Por në këtë Dibër, për zgjedhjet e kryetarit të Bashkisë ndodhi katastrofa e Demokracisë, që prej Platonit. Të gjithë u varën në Dibër.
Vetë qeveria, e cila bën si e fortë dhe arrogante, u var te plantacionet me drogë. 7 mijë vetëve iu premtoi se “nuk të burgos, nuk ta marr drogën, veç më jep votën”. 7 mijë familjeve që jetojnë me ndihmë sociale iu lut të pranojnë nga një thes me miell, “veç më jep votën”. Qeveria ra në duar të Policisë: “Nëse shërbeni drogën në favor të zgjedhjeve, vazhdoni misionin”. Misioni i Policisë është roli i gardianit mbi drogën; policia merr përfitimin. Opozita ka thënë se policia merr 30 për qind, por edhe kjo varet nga kultivuesit kur të piqet droga. Vetë kultivuesit kanë vartësi nga pronarët e tokës, të cilën e kanë marrë me qira; jo gjithnjë toka i përket të zotit të drogës.
Kultivuesit kanë një vartësi të frikshme nga fëmijët dhe gratë e fshatit. Këta janë më të dobëtit dhe “naivët” ; dalin nëpër zabele: O për të ruajtur bagëtitë ose për të mbledhur shkarpa për dimër. Ka ndodhur që rojet e drogës i kanë gjuajtur me armë duke i perceptuar ose si arinj ose si hajdutë të rrezikshëm. Vetë fëmijë e gra kanë nisur të ngujohen në shtëpi nga frika e gjuetarëve. Kultivuesit, sado që i kanë të lidhura fijet me Policinë, nuk besojnë aq shumë dhe shikojnë ëndrra me “spiunë” nga fshati. Varësia e ndërsjellët është një makth më vete.
Kësaj here të gjithë të pushtetshmit janë të varur te më i dobëti; edhe vetë i dobëti ka një vartësi te një tjetër më i dobët se ky. Qeveria që ka në dorë fuqitë e “Prometheut” iu shtriu dorën të varfërve, të këputurve, të padenjëve, harbutëve, sekserëve, bracëve. Qeveria po tenton që edhe aleatët perëndimorë t’i varë te “periferitë” e Shqipërisë. Kryeministri tha në Kuvend se “për drogën e di Amerika”. Dje në Ishëm ra një aeroplan italian që me siguri ka ardhur të marrë drogën e këtyre fshatrave. Nesër Italia, sa ç’do të hapë sytë këtej për drogë, aq edhe do të protestojë; atje akoma nuk ka vdekur qytetëria. Europa ndodhet në grindje mbi çështjen shqiptare pse prej këndej eksportohen emigrantë dhe drogë. Ambasadorët e Perëndimit po përfliten si të varur nga fitimet e helmit të mbjellë në gjithë Shqipërinë.
Pse është shtuar kategoria e të dobëtit?! Nevoja që ka qeveria për t’u mbajtur në varësen e tyre, është nuhatur nga kategoria dhe është rritur si në një mënyrë për të mbijetuar. Të dyja palët mbijetojnë për shkak të njëra- tjetrës. Qeveria e ka stimuluar varfërinë; Dibra është një zonë pesë herë më e madhe, por ka tre herë më pak investime se Librazhdi. A nuk fitoi qeveria në Dibër?!
Gjithë katastrofa politike dhe ekonomike e vendit vjen për shkak të varësisë. Çfarë duhet bërë? Sa shumë njerëz pyesin e sa shumë prej tyre bëjnë sikur e gjetën zgjidhjen. A mund të çlirohet njeriu nga vartësia?! Kohët e fundit janë paraqitur dëshmi se njeriu edhe mundet. Studiuesit e “sëmundjes” së varësisë përmendin modelin Brexit të Mbretërisë së Bashkuar. Mirëpo ky model nuk vlen për shabllonin e vartësisë së të gjithëve nga të gjithë. Këtu askush nuk është jashtë rrethit të varësisë.
As opozita. Opozita është mbledhur dje e sot (do të mblidhet edhe nesër me siguri) dhe do të “bëjë analizën e humbjes” në Dibër. Cila është analiza? “Ky punoi mirë e ai tjetri jo”?! Nuk ka vlerë. Vetë opozita është e varur nga droga. A ka anëtarë të Partisë Demokratike që nuk kultivojnë drogë, veç për arsye të ideologjisë? Njësoj si edhe socialistët. Opozita nuk mundi të thërrasë qartë “kundër kultivimit të drogës”, sepse askush nuk të jep votën. Shefat rajonalë të Opozitës, a nuk janë kultivues droge si edhe shefat e qeverisë? Më në fund, opozita funksionon në një situatë varësish.
Në vitet ’90 ku opozita fitoi bujshëm kundër diktaturës komuniste, në fakt fitoi kundër Varësisë. Regjimi komunist, edhe pse i tmerrshëm, ishte një drogë. (Edhe sot droga, edhe pse vdekjeprurëse është një varësi). Sa shumë njerëz nuk deshën të largohen nga varësia komuniste; madje edhe sot e kanë atë varësi ndaj dhunës së regjimit. Por kanë lindur të rejat; aty varen palët tani.
Kush do ta çlirojë njeriun nga varësia?! Kjo është e pamundur?
Pyetja bëhet se “nga cila varësi?”. Qeveria kishte marrë një mision që njerëzve dhe shtetit t’u krijonte varësi nga industrializimi, nga teknologjia, nga zhvillimi dhe noviteti. Por luajti rolin e Djallit dhe e fundosi vendin, e fundosi njeriun. Njeriun e lidhi pas vesit dhe pas mizerabilitetit. Ja, vendi, e bukura Shqipëri (siç lavdërohen nëpër tribuna), është i varur nga droga, nga pika e fundit. Pastaj këtu është e varur vota. Pastaj, te vota është e varur një qeveri akoma më e keqe,vota e bën të fortë dhe iu kthehet të vuajturve. Ferr!
A ka shpëtim? Bota njerëzore, aq lashtërisht, e ka njohur varësinë, dhe aq denjësisht e ka luftuar. Varësia- thonë teoricienët- është marrëdhënie e periferisë me qendrën. Atëherë, të ndryshojmë qendrën? Ja kjo do të ishte analiza e opozitës… Edhe këtu “shteti” Djall mund të kapet te e keqja. Mund të “ndryshojë” por të krijojë varësi të shtetit brenda shtetit, mafies brenda mafies, familjes brenda familjes. E njëjta gjë.
Do ta krijojmë qendrën në shtet, apo do të degradohet në disa qendra dhe disa periferi; derisa grupet rivale të mos pyesin më nëse në parcelat e drogës kanë hyrë fëmijë e gra të dobët, apo rivalët dhe kafshët e egra?!
/ Veritas.com.al/