Bashkia e Tiranës ka hapur garën për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar. Lajmin e mirë e dha Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, në të cilën theksoi se puna për ndërtimin e godinës së re moderne do të nisë shumë shpejt.

“Me vendimin që marrim sot kalojmë fazën e fundit burokratike, hapjen e garës ndërkombëtare, e cila zgjat 60 ditë, dhe me të shpallur fituesin do të fillojmë ndërtimin e Teatri të ri sipas projektit danez të Bjarke Ingels. Do të kemi teatrin më modern në Ballkan! Viti 2025 do e gjejë Tiranën me një teatër të ri, edhe pse njësoj si me projektin e Unazës së Madhe te Astiri, sherri na mori 3 vjet kohë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar është bërë edhe reflektimi i nevojshëm në buxhet, si pasojë e ndryshimit të çmimeve të materialeve të ndërtimit për shkak të luftës në Ukrainë. “Në fund të vitit të kaluar e kaluam projektin në buxhet, por asnjë prej nesh nuk e kishte pritur që në 24 shkurt do të fillonte agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, çka do të sillte një trazim të tregjeve, sidomos të çmimeve të hekurit dhe çelikut. Si element bazë ndërtesat kanë çelikun, hekurin dhe betonin, prandaj e kishim të pamundur të hapnim një garë ndërkombëtare me çmimet e paraluftës ”, sqaroi Veliaj.