Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga SHBA-ja ku zhvilloi takime me zyrtarë shtetërorë atje, ka mbajtur një konferencë për media për të treguar rreth atyre takimeve.
Ai tha se Kosovës i ka mbetur vetëm edhe hapi i fundit për përmbylljen e plotë të njohjes ndërkombëtare që është anëtarësimi në Kombet e Bashkuara, “që do të thotë anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare”.
“Do të thotë, jetë më të mirë për qytetarët tanë, paqe në Ballkan, e jetë më të dinjitetshme për qytetarët tanë”.
Thaçi tha se dialogu i nisur me Serbinë, tash e gati një dekadë, është nisur me premtimin për njohje reciproke, ndërsa e falënderoi BE-në për ndihmën që i ka dhënë këtij dialogu.
“Pas çdo takimi në Bruksel, unë kam raportuar në Kuvendin e Kosovës dhe procesi gjithmonë ka qenë transparent, por ky proces fatkeqësisht nuk arriti atë që ne dëshiruam. Mungesa e unitetit ndër shtetet e BE-së u reflektua edhe në gjasat e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të saj ende nuk arritën të bindin 5 shtetet e saj për njohjen e Kosovës. Ndërsa, nuk shihet as në horizonte që BE t’i bindë këto vende për ta njohur Kosovën, e lëremë Serbinë që ta njohë Kosovë – gjasat janë zero, pra kjo është dëshpëruese”, theksoi Thaçi në këtë konferencë, raporton Koha.net.
Ai tha se vonesa nuk është në interesin tonë, por shtoi se duhet të jemi unikë e të bashkuar, “siç kemi qenë në Rambuje dhe Vjenë, nga ku kemi dalë fitues”.
“Edhe sot jemi në një pozitë të njëjtë, dhe unikë e të bashkuar mund të dalim faqebardhë, sepse presidenti Trump ka shtuar vëmendjen për Kosovën dhe rajonin, kemi Grenellin që me guxim e vizion po e shtyn përpara dialogun dhe maksimalisht po angazhohet për marrëveshjen finale. Kjo është mundësi e re që duhet ta shfrytëzojmë. Humbja e këtij momentumi nënkupton se do të paguajmë çmim”, theksoi Thaçi.
Kreu i shtetit shtoi se pavarësia e Kosovës, sovraniteti i saj, nuk ka vetëm miq.
Ai tha se pyetja më e rëndësishme është se çfarë duhet të bëjmë ne.
“E para, duhet të jemi unikë. I tërë spektri politik dhe institucional, kjo do të lehtësonte mbështetjen e partnerëve tanë për të ardhmen e sigurt të Kosovës, e kundërta është forcim i argumenteve të kundërshtarëve të Pavarësisë së Kosovës. Për Kosovën nuk duhet të ketë dallime mes individëve, apo partive politike. Këtë e presin qytetarët. Dëshiroj të theksoj se gjithnjë kam qenë i gatshëm të punoj për të mirën e vendit dhe dallimet e vendit duhet të mbesin këtu. Edhe sot bëj ftesë për unitet politik dhe për bashkërendim të hapave tonë. E kemi rastin më të mirë tash, jo nesër. E kemi përkrahjen e plotë të presidentit Trump, vëmendjen e plotë të Grenellit, kemi mundësinë për të përmbyllur njëherë e përgjithmonë kapitullin e luftës dhe për të hapur një kapitull të ri. Është një moment vendimtar, dhe i një mundësie historike. Tani kemi rolin udhëheqës të SHBA-së dhe duhet të jemi dhe të veprojmë me unitet”, u shpreh presidenti Thaçi.
Më tej, ai tha se “Serbia ka thënë se është e pamundur edhe liria e Kosovës, edhe pavarësia, edhe ushtria – por të gjitha janë arritur”.
“Ne duhet të kemi besim në vetvete. Jam i bindur se njohja reciproke do të ndodhë. Gjithashtu kur dihet se marrëveshja do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës”, theksoi ai.
VERITAS.COM.AL/