Frrok Çupi
Sapo dha shpirt theatri i vjetër, ende duke gulçuar nën pluhurin e largimit, liderët e opozitës iu drejtuan ‘heronjve’ në turmë: ‘Mos qani, do ta rindërtojmë Theatrin e vjetër aty ku ishte, na besoni!’. Përralla me ringjalljen e të vdekurit mund të vinte në gjumë vetëm shkallën e fundit të naivëve ose budallenjtë. Liderët ua kanë matur trurin këtyre që i ndjekin pas. Thelbi i parullës së ‘liderëve protektorë’ nuk është as vetëm mashtrimi i turmave, aq më pak Theatri. Qëllimi është t’i mpijnë turmat dhe t’i lënë në rrugë Si të thonin: ‘Aman edhe këta që bërtasin rrugëve, thuaju se do t’ua kthejmë Theatrin e të na lënë rehat!’. Kanë nisur të kërkojnë ‘thembrën e Theatrit’, kjo iu duhet.
Njësoj si Akilin, që gjatë një Iliade të tërë nuk ia gjetën pikën e dobët, veçse në thembër. Heroi mitologjik u detyrua të vishej si vajzë, të fshihej në Skiro, të ndërronte emrin…. Këta të Tiranës, me Theatrin kanë gjetur shtegun si të dalin nga gjendja, si të ndërrojnë pamjen, si të kërcënojnë paqen dhe aleatët, si të mbledhin ushtarët e terrorit, dhe më në fund t’ia dalin…
Presidenti i Republikës i ka bërë të gjitha…
Më në fund, sot ua dha Pallatin atyre të opozitës, si për t’u thënë se ‘thembrën do ta ndajmë së bashku, pa merak’. Ishte fiks si një ‘coup d’ètat’. Ambasadorja e Amerikës i kaloi kryetarit të shtetit- korridoreve të zyrës së tij dhe takoi vetëm këshilltarët.
Presidenti i Shqipërisë është sot presidenti që e ka kërcënuar më shumë në botë Amerikën. Të gjitha i ka bërë: Ka deklaruar botërisht se ‘po vras veten si Salvador Allende’, duke aluduar se ‘ju e shtytë në vetëvrasje presidentin rebel të Kilit. Pastaj ndezi fitilin e konfliktit civil në vend me dekretin e zgjedhjeve duke i dhënë sinjal aleatit përtej Oqeanit se ‘ua nxjerr nga duart rajonin’. Amerika e ka vendin në Korenë e Veriut!- ka kërcënuar Meta, si dikur parulla: ‘Larg Amerika…!’. Theatrit është gati t’i japë emrin e tij, me qëllim që të fshihet vetë. Ngjitja pas çështjes së Theatrit është e fundit ‘për jetë a vdekje’ e presidentit: ‘Aq sa nuk mund të fshini Theatrin- aq mund të rrëzoni Ilir Metën’- këtu e pikas thembrën për nesër kur t’i vijë ora që ndodhet në rrugë për shkarkimin nga posti. Lëngata e gjatë rreth ‘Theatrit’, do ta dobësojë shtetin, edhe sigurinë kombëtare, edhe kujdestarinë ndaj individit, edhe policinë e qytetarinë… Kur të vijë dita e fundit, presidenti po punon që shteti të jetë rrëzuar, ose të paktën do të jetë gjunjëzuar. Ose të paktën do të ketë turma aq naive sa të thonë ‘hë mo edhe ju, lëreni presidentin, mjaft rrëzuat Theatrin!!?’. Presidenti &Co., shpresojnë se edhe qeveria do të jetë lodhur’.
Këta të zënë derën pasi i ke përzënë:
Nuk ‘duan’ ta marrin pushtetin; kot e kanë disa që mendojnë se këta po luftojnë për të krijuar një pushtet të ri. Theatri është veç një kasolle që nxori tym. Prej disa vjetësh këta vrapojnë aty ‘ku del tym’; por kurrë vetë nuk mund të ndezin zjarr. Theatri është njësoj si ‘unaza e re’, si ‘Bregu i lumit’, si ‘stacioni i trenit’… Përzihen nëpër moçale- çfarë të dalë të dalë!, por e njohin veten. Kurrë nuk mund të fitojnë aq vota sa të qeverisin. Mbi shpatullat e tyre kanë mijëra akte korrupsioni e krimi.
Mëkati më i madh i një grupimi apo i një individi është mëkati që bën kur vetë e di se është ‘i infektuar’, megjithatë tenton të vdesë të gjithë. Meqë jemi në periudhë epidemie mund të flitet me këtë alegori. Por një grupim politik që tenton ta rrënojë gjendjen e kombit të vet, edhe pse e di se i ka bërë gropën dhe prapë gropën ofron, atëherë këtu tragjikja bëhet më e madhe. ‘Theatrin’ këta e përdorin për të krijuar ‘arkën’ ku fshehin krimin. Pse u larguan nga parlamenti dhe nga zgjedhjet? Sepse nuk kanë asnjë mundësi për të bërë punë të mira. Magari të kishin një mirësi apo naivitet sa të besonin me vete se mund të pranohen nga kombi i tyre.
Me ne ka ndodhur më e rralla në demokracitë e shekullit: Opozita, inkludë presidenti, është shumë herë më e korruptuar dhe kriminale se qeveria; shteti nuk ka dalje nëse i bie maxhoranca.
Hija e Sokol Olldashit kthehet në turmë:
Ora sa ra fasada e theatrit të vjetër, nuk kanë pritur liderët ‘Isha’ që të shfaqen aty. ‘Ish- deputetë’, ‘ish negociatorë’, ‘ish ministra’, ‘ish kryeministra’, madje edhe ish- presidentë. Të gjithë shpërthyen në një eksitim të pakuptimtë: Njëra lidere u ul triumfalisht apo marrëzisht në mes të bulevardit; tjetri erdhi me pak vonesë dhe zuri cepin tjetër- secili lëshonte sinjalin ‘lërmë të shikoj fatin tim te Theatri!’. Presidenti i Republikës u shfaq në ‘high’, pa mundur ta çajë kokën se e shoqja ishte transferuar nga njëri furgon policie në tjetrin, në sy të publikut. Pranë këmbëve të kryetarit ‘dytësor’ të PD plasën shashka. U plagosen dy persona, por jehonën e kishin shumë të thellë. Kryetari i dytë i PD, duhet zëvendësuar, me siguri me presidentin, sapo të zbresë nga posti. Partitë do të bëhen bashkë në të njëjtën ‘rekuizitë’, pavarësisht cilit krah i përkasin. Ose edhe po nuk u zëvendësua- kryetari i PD duhet trembur. Për postin e tij të lartë u eliminua rivali i tij, Sokol Olldashi. Plasjet në këmbë të këtij i kujtojnë se ‘ti e di si të sollëm, duhet të ikësh po të të kërkohet!’
Militarët kanë hyrë për të zgjidhur punët e politikës. Është shfaqur haptazi specia e ‘aktivistëve’. A e dini çfarë janë ‘aktivistët’? Që nga 1920 në Berlin, në aktet terroriste të hasbullahëve dhe IS, nga lufta në Bosnjë dhe Vlora 1997- strumbullari kanë qenë aktivistët. Presidenti Meta deklaroi se në trazirat e korrikut 1919 para parlamentit po vinin militantë nga Kosova, sigurisht e tha duke fshehur militantët e këtushëm. Në luftën e vitit 1997, në Vlorë u kapën nja 40 a 50 ‘aktivistë’ të FARK, vlonjatët i strehuan, iu mjekuan plagët, i ushqyen dhe i përcollën për në Kosovë. ‘Aktivistët’ e Vetëvendosjes, që kanë zbritur deri në Tiranë me ide guerilase, kanë një kuptim të pakëndshëm; si në Kosovë edhe këtu. Stabilitetin në rajon po e kërcënojnë ‘aktivistët’.
Kjo po ndodh. Ndërsa ‘turmat mbrojtëse’ po mbahen në shesh me qëllim që të mbulohet ‘thembra’ e Theatrit.
VERITAS.COM.AL