Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për disa persona, të dyshuar për krijimin e skemave mashtruese me qëllim kreditimin e TVSH-së.

Në total janë lëshuar 25 urdhër-ndalime për 25 personat që figurojnë administratorë të subjekteve të dyshuara fiktive që vepronin në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, e që kanë lëshuar fatura të falsifikuara për subjekte të treta, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 miliardë lekësh.

Deri më tani janë ekzekutuar 13 urdhër-ndalime, ndërsa 12 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Prokuroria thekson se do të vijojë hetimet për identifikimin e saktë dhe të plotë të subjekteve përfituese nga kjo skemë mashtruese.

Menjëherë pasi u njoftua procedimi penal ndaj një “tufe shkelësish” që kishin mashtruar me TVSH-në, kryeministri Rama ka spërdorur rrjetet sociale për të dhënë mesazhin e tij se evazioni fiskal do të ndëshkohet ashpër.

“Ulja e taksave dhe lehtësimi tërësor i biznesit synojnë edhe uljen e informalitetit dhe të evazionit fiskal. Arrestimi i një duzine shkelësish dhe shpallja në kërkim e një tufe tjetër nga biznesi i madh, për mashtrim me taksat, është mesazh i qartë: Mos luani me taksat se ju gjen belaja”, shkruan Rama në “Twitter”.

Veritas.com.al/