Mëngjesin e kësaj dite familjarët e katër të vrarëve – Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika – e nisën me homazhe te Bulevardi Dëshmorët e Kombit.
Gjykata ka vlerësuar se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.
Nga Bulevardi, familjarët e Aleks Nikës, të cilëve dhimbja u është shtuar edhe nga fakti që vrasja ka mbetur pa autor, deklaruan se çështjen do ta çojnë në Prokurorinë e Posaçme, pasi ajo e Tiranës, sipas tyre, kërkon ta mbyllë dosjen.
“Sot, pas 11 vitesh, janë të njëjtat emocione si ditën kur u vra, s’ka asnjë zhvillim të ri në dosje. Dosja në prokurori ende s’ka veprime. Kërkojnë ta mbyllin çështjen, por ne nuk do ta lejojmë. Çështja t’i kalojë SPAK-ut dhe ajo vihet në funksion”, deklaroi një nga familjarët për median.
Ndërkohë familjarët e Nikës kanë deklaruar se, për shkak të këtij fakti, ata e kanë dërguar çështjen në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut.
Po ashtu edhe familjarët e Veizit, pavarësisht se autori është dënuar, vijojnë të apelojnë për drejtësi.
Sipas tyre, drejtësia nuk është vënë në vend dhe nuk është bërë asgjë për zbardhjen e ngjarjes.
Në homazhe për të nderuar viktimat e “21 janarit” , ishte edhe kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, sekretari i PS-së, Damian Gjiknuri, dhe personalitete te tjere te qeverise shqiptare.
Kreu i Qeverisë është shprehur i bindur se drejtesia vonon, por nuk harron.
Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga PS-ja protestuan kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.
Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë. /Albanianpost.com