Forcat turke të sigurisë kanë kryer arrestimin e mbi 750 personave të dyshuar se kanë lidhje me grupin e Shtetin islamik, në goditjen më të madhe të rrjetit që është kryer deri tani kundër organizatës xhihadiste në Turqi, sipas agjencisë Anadolli.

Rreth 450 të dyshuar qenë arrestuar në fazën fillestare të këtij operacioni të dielën, por agjencia pro-qeveritare njoftoi të hënën se janë ndaluar në total 763 persona.

Agjencia Anadolli saktëson se operacioni është zhvilluar në 29 nga 81 provincat turke, dhe se janë sekuestruar gjithashtu dokumente, armë dhe municione.

Këto arrestime ndodhën pak më shumë se një muaj pas atentatit që shkaktoi 39 të vdekur natën e Vitit të Ri, kur një njeri i armatosur u fut në një klub nate në Stamboll.

Masakra ishte aksioni i parë i përmasave të tilla në Turqi me autorësi të Shtetit islamik, ndonëse edhe atentate të mëparshme i qenë atribuuar nga Ankaraja kësaj organizate xhihadiste.

Autoritetet turke kanë ndërmarrë këto vitet e fundit operacione të shumta kundër persoanve të dyshuar për lidhje me ShI, pork y është i pari operacion i përmasave të këtilla.

Drejtoria e përgjithshme e Sigurisë, e cituar nga agjencia Anadolli, ka deklaruar se ShI parashikon një “aksion sensacional” me qëllime propagandistike në Turqi, me shënjestra potenciale organe të ndryshme mediatike. Agjencia nuk ka dhënë më shumë hollësi për këtë çështje.

Autori i dyshuar i sulmit të Vitit të Ri, Abdulgadir Masharipov, me shtetësi uzbekase, u arrestua në 16 janar pas gjurmimeve në shkallë të gjerë.

Sipas mediave lokale, ai kish planifikuar të sulmonte edhe sheshin e famshëm Taksim, si edhe zyrat e gazetës opozitare Cumhuriyet.

Turqia është akuzuar prej shumë kohësh nga aleatët e saj perëndimorë se nuk kishte bërë përpjekje të mjaftueshme kundër ngritjes në pushtet të Shtetit islamik.

Një akuzë që Ankaraja e hedh poshtë, duke pohuar se ajo e ka vënë ShI në listën e organizatave terroriste që në 2013. Madje, ajo ndërmori në gusht një operacion ushtarak në veri të Sirisë, me qëllim që të godiste njëherësh shtetin islamik dhe milicët kurdë që Ankaraja i konsideron si terroristë.

/Veritas.com.al/