-‘Në vitin 2012 kam pasur një telefonatë të gjatë me ministrin e Jashtme të Turqisë-.

Sali Berisha, ish president i Republikës dhe ish kryeministër ka folur sot në Kuvend mbi votën e Shqipërisë në OKB në 21 dhjetor ku u rëndit kundër Shteteve të Bashkuara, dhe në një linjë me Turqinë mbi vendimin e Shteteve të Bashkuara për Jerusalemin si kryeqytet i Izraelit.

Berisha, që në fillim është shprehur se ‘kjo qeveri riktheu votën e Enver Hoxhës në OKB’.

‘21 dhjetori do të hyjë në historinë e Shqipërisë si dita kur bijtë e etërve mizorë, rikthyen votën e Enver Hoxhës kundër shtetit, kombit që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Kundër vendit që në vitet ’20 shpëtoi Shqipërinë nga zhdukja e Shqipërisë nga harta e Europës. Për vendin që ndërmori operacionin më të madh të pas luftës së dytë botërore, për të rrëzuar etërit e këtyre. Votuat kundër vendit që ndërmori operacion më të madh për të çliruar Kosovën.

Votuat kundër vendit që ka shfaqur ndjenjat më miqësore ndaj shqiptarëve. Këta mashtrues që duan të mbrojnë aktin e tyre të shëmtuar, gënjejnë çdo ditë shqiptarët. Sapo tha ministri juaj që të gjithë vendet kandidate të BE, votuan për rezolutën. Maqedonia është një vend shumë kohë para nesh kandidat, po çfarë bëri delegacioni i tyre? Braktisi sallën dhe nuk votoi. Kemi të bëjmë me njerëz ordiner si ky këtu, kreu i juaj, që pa u skuqur tha se, nuk na e kërkoi njeri.

Por anëtarja e qeverisë amerikane kërkoi dy herë, bëri dhe një vizitë në përfaqësinë e Kosovës, deklaroi se SHBA po bëjnë përpjekje të mëdha për njohje të reja, por Edi Rama kërkoi të votojë rezolutën, turko-jevenite. E pse? Për të dënuar vendimin e një vendi sovran’, tha ish-kryeministri Sali Berisha në Kuvend.

‘Në vitin 2012 kam pasur një telefonatë të gjatë me ministrin e Jashtme të Turqisë.

Në këtë telefonatë i kam bërë të qartë se Shqipëria nuk do të dalë kurrë kundër SHBA-së. Me një fjalë unë i bëra të qartë që Shqipëria nuk do të bëhet kurrë shtojcë e Turqisë në politikën ndërkombëtare.

Nëse nuk do të ishte SHBA, edhe Lindja e Mesme nuk do të ishte ajo që është sot. Mund të kishte edhe luftë botërore, por është SHBA ajo që i ka frenuar. Nëse SHBA do të sulmojë Korenë e Veriut, Shqipëria duhet të jetë në krah të tyre’, tha ish-kryeministri Sali Berisha në Kuvend.

Veritas.com.al/