Ndërsa seanca plenare vazhdon me tensione, jashtë Kuvendit po zhvillon protestë.
Gazetari Ervin Leka raporton se protestuesit e Rithemelimit dhe PL-së kanë marrë goma dhe iu kanë vënë flakën para godinës. Ata gjithashtu kanë hedhur edhe molotov.
“Janë dy grumbuj me goma që sapo u kanë vënë flakën duke shkaktuar dy zjarre të mëdha në hyrje të kuvendit por nuk ka persona afër. tymi ka pushtuar edhe vendin ndërsa janë hedhur edhe një shishe me molotov nga protestuesit ndërsa policia dhe forcat speciale kanë krijuar edhe perimetrin e sigurisë,”, raporton gazetari Ervin Leka.
Ashtu siç edhe pritej, opozitarët kanë përgatitur një skenar të ngjashëm me protestat e përjavshme para Bashkisë së Tiranës. Ata mbajnë në duar pankarta me titujt e të gjitha raportimeve të mediave të huaja ndër vite për lidhjet e qeverisë Rama me bandat dhe zyrtarët e korruptuar.
Ndërkohë që policia ka marrë masa duke pajisur efektivët që kanë formuar kordonin me fikëse zjarri dhe maska kundra gaz, duke i paraprirë hedhjes së mundshme të molotovit protestuesit e kanë rrethuar hyrjen e Parlamentit me goma, të cilave u është vënë edhe zjarri.
Dy grumbuj me goma janë duke u djegur, duke krijuar re të dendura tymi. Mbi gomat të cilat po digjen ishin vendosur pankarta me portrete të ministrave e deputetëve socialistë.
Protestuesit po ashtu kanë hedhur molotov, por deri më tani nuk janë shënuar përplasje me policinë, e cila ka ngritur kordonin në derën hyrëse të Parlamentit.
Sipas gazetarit më pas ata kaë edhe sende të forta për t’i penguar forcat e policisë që të mos fikin zjarrin.
“Janë gurë, materiale të tjera dhe dërrasa që hiden ndaj oficerëve të policisë”, shtoi ai.