Teksa publikisht refuzon çdo ide për lëshim territori, në prapaskenë presidenti ukrainas po përgatitet për të bërë ndonjë kompromis të dhimbshëm. Sipas britanikes “Telegraph”, që citon një zyrtar perëndimor, Ukraina mund të pranojë pushimin e luftimeve dhe lëshimin e territorit tashmë të pushtuar nga Moska, si pjesë e një plani për paqen të mbështetur nga europa.

Siç raportohet, Zelensky u ka thënë liderëve europianë se duhet të refuzojnë çdo ujdi të propozuar nga Trump në të cilën Kievit i kërkohet të heqë dorë nga territore të mëtejshme, por se Moska mund të lejohet të mbajë disa prej tokave të pushtuara. Kjo do të nënkuptonte ngrirjen e vijave të frontit në gjendjen aktuale, dhe dorëzimin e kontrollit de facto të territoreve që Moska ka përvetësuar, në Luhansk, Donetsk, Zaporizhia, Kherson dhe Krime.

Zbutja e pozicionit negociues vjen në prag të bisedimeve mes Trump dhe Putin në Alaskë, ditën e premte.

“Plani mund të lidhet vetëm me pozicionet aktuale të mbajtura nga ushtritë”, tha zyrtari perëndimor, i cili foli për ditë të ethshme diplomacia mes Kievit dhe aleatëve. E ndërsa Ukraina po hapet ndaj mundësisë për të lëshuar disa territore, ajo do të pranojë vetëm një marrëveshje që ofron garanci të forta sigurie në formën e furnizimeve me armë, dhe një rruge drejt anëtarësimit në NATO.

Por ndërkohë Putin duket se nuk ka hequr dorë nga synimet kryesore të tij me luftën në Ukrainë, një prej të cilëve është të pengojë anëtarësimin e Kievit në aleancën ushtarake. Liderët europianë pritet të zhvillojnë bisedime me Trump të mërkurën, para takimit të 15 gushtit mes tij e Putinit.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *