Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) ka njoftuar se do të dërgojë anije shtesë dhe avionë luftarakë në bazat ekzistuese në Evropën Lindore.
Ndër të tjera, organizata deklaron në reagimin zyrtar se do të vendosë edhe trupa shtesë në gatishmëri.
Kjo, ndërsa tensionet në Ukrainë përshkallëzohen.
Jens Stoltenberg, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se masa është krijuar për të rritur parandalimin dhe mbrojtjen në Evropën Lindore.
Sekretari shtoi se NATO “gjithmonë do t’i përgjigjet çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë”.
(Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg)
“NATO do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur dhe siguruar të gjithë aleatët, duke përfshirë edhe përforcimin e pjesës lindore të Aleancës”, tha Stoltenberg në një deklaratë zyrtare.
Aleanca vuri në dukje vendimet e ditëve të fundit nga Danimarka për të dërguar një fregatë dhe avionë luftarakë në Baltik.
Ndërkaq, Spanja forcoi vendosjet e saj detare dhe Holanda vendosi një “anije dhe njësi me bazë tokësore në gatishmëri” për forcën e saj të reagimit të shpejtë.
Në përgjigje, ligjvënësi rus Andrei Kartapolov, i cili kryeson komitetin e mbrojtjes të parlamentit rus, tha se vendi do të “përgjigjet në mënyrë të përshtatshme”.
Kjo, në rast se më shumë personel ushtarak amerikan do të vendoset në Evropën Lindore dhe në rajonin Baltik, sipas Ifax-it.
SHBA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, po shqyrton vendosjen e disa mijëra trupave amerikane, si dhe anijeve apo avionëve luftarakë në vendet aleate të NATO-s në Baltik dhe Evropën Lindore.
Referuar zyrtarëve të administratës amerikane, e përditshmja prestigjioze “New York Times” flet për një zgjerim të përfshirjes ushtarake amerikane.
Kjo, mes frikës në rritje të një inkursioni rus në Ukrainë.
Veprimi shihet si një sinjal për administratën Biden, e cila deri vonë po mbante një qëndrim të përmbajtur ndaj Ukrainës.
“Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ka shtuar veprimet e tij kërcënuese ndaj Ukrainës dhe bisedimet midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë nuk kanë arritur ta dekurajojnë atë, administrata tani po largohet nga strategjia e saj ‘mos provoko’”, ravijëzon NYT-ja.
Plani
Gjatë një takimi të së shtunës, zyrtarë të lartë të Pentagon-it i paraqitën Biden-it disa opsione.
Ata kërkojnë zhvendosjen e aseteve ushtarake amerikane shumë më afër pragut të Putin-it, thanë zyrtarët e administratës.
Opsionet përfshijnë dërgimin e një mijë deri në pesë mijë trupa në vendet e Evropës Lindore, me potencialin për ta rritur atë numër dhjetëfish nëse gjërat përkeqësohen.
Në rast të një pushtimi rus në shkallë të plotë, raporton NYT-ja, SHBA-të synojnë të largojnë shpejt trajnerët e tyre ushtarakë jashtë vendit.
Por është e mundur që disa amerikanë mund të qëndrojnë për të këshilluar zyrtarët ukrainas në Kiev, tha një zyrtar amerikan.
Situata në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë ka marrë vëmendjen e zhvillimeve globale.
Kjo, sidomos pas lajmit të evakuimit të personelit jo-thelbësor nga Ambasada Amerikane në Kiev. Gjermania gjithashtu po përgatit evakuuim të personelit të saj diplomatik.
Apo me dorëheqjen e shefit të marinës gjermane, Kay-Achim Schönbach pas komenteve për presidentin rus Vladimir Putin dhe krizën në Ukrainë.
SHBA-të dhe Britania tërheqin familjet e diplomatëve
Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur të tërheqin familjet e diplomatëve nga Ukraina.
Bashkimi Evropian nga ana e saj ka sqaruar se vartësit e tyre do të qëndrojnë në Kiev për momentin.
Kjo, mes frikës së shtuar të një pushtimi rus.
Departamenti i Shtetit urdhëroi të hënën largimin e të gjithë anëtarëve të familjes së personelit që shërben pranë ambasadës amerikane në Kiev.
Njoftimi zyrtar i autoriteteve amerikane përmendte si shkak “kërcënimin e aksionit ushtarak rus”.
Departamenti i tha gjithashtu stafit jothelbësor se ata mund të largohen nga vendi.
Atmosfera e paqëndrueshme është treguesi i fundit se përpjekjet për të mospërshkallëzuar krizën kanë dështuar pas bisedimeve midis Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov.
“Kushtet e sigurisë, veçanërisht përgjatë kufijve të Ukrainës, në Krimenë e pushtuar nga Rusia dhe në Ukrainën lindore të kontrolluar nga Rusia, janë të paparashikueshme dhe mund të përkeqësohen brenda një kohe të shkurtër”, nënvizon departamenti në deklaratë.
Të njëjtën rrugë diplomatike zgjodhën edhe autoritetet britanike.
Ato filluan gjatë 24 janarit tërheqjen e një pjese të stafit diplomatik nga ambasada në Ukrainë.
Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme britanike thanë se aktualisht nuk kishte kërcënime specifike për diplomatët.
Gjysma e stafit në Kiev thuhet se është planifikuar të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, reagoi menjëherë pas tërheqjes së familjeve të diplomatëve amerikanë në Ukrainë, duke garantuar se BE-ja “nuk po ndjek SHBA-të”.
“BE-ja nuk po ndjek Shtetet e Bashkuara në tërheqjen e familjeve të diplomatëve të saj nga Ukraina”, theksoi kryediplomati evropian.
Sipas Borrell, nuk ka nevojë të “dramatizohet” situata ndërsa vazhdojnë bisedimet me Rusinë. /Albanianpost.com