Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastriliu, në një deklaratë për mediat, ka njoftuar se Komiteti i Imunizimit ka rekomanduar futjen në protokolle të dozës së tretë të vaksinës për coronavirus-in.
Ajo nga Shkodra ka bërë me dije se Komiteti ka këshilluar jo vetëm përdorimin e dozës së tretë, por edhe uljen e fashës moshore të vaksinimit.
Duke filluar kështu vaksinimin e personave mbi 12 vjeç, të cilët mund të kenë probleme shëndetësore, edhe ato 16 vjeç.
“Është mbledhur Komiteti Teknik i Vaksinimit, të cilat kanë diskutuar dhe kanë rekomanduar vendosjen në protokolle të dozës së tretë”, tha Manastirliu.
Ajo theksoi se Komiteti Teknik i Ekspertëve do të mblidhet nesër dhe do të shohë nëse do t’i miratojë rekomandimet e Komitetit të Imunizimit.
Nga ana tjetër, ministrja ka ravijëzuar se duke filluar nga dita e nesërme do të shpërndahen vaksinat e gripit në fillim për stafin mjekësor dhe më pas për të gjithë tragetin e caktuar.
“Sa i përket universiteteve ne jemi ne dispozicion me stafe tona mjekësore duke bërë që studentët ta kenë mundësinë që të vaksinohen sa më shpejt dhe lehtë”, tha Manastirliu.
Sipas saj qëllimi themelor i kësaj fushate është ruajtja dhe mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe të rinjve.
“Unë garantoj se vaksinat janë të certifikuara dhe të njohura nga OBSH dhe dje ka qenë një lajm nga qeveria amerikane, që lejojnë që me 8 nëntor do të futen të gjithë qytetarët që janë të vaksinuar me dy doza nga vaksinat e njohura nga kompanitë ndërkombëtare të ndërgjegjshme”, finalizoi ajo deklaratën e saj.