
Frrok Çupi
Lajmi dje, 27 mars 2025, se ‘ Puitni po vdes”, ka ngjashmëri të frikshme me lajmin e vërtetë të vdekjes së Stalinit në mars 1953. Ngjashmëria e parë se të dy- babë e bir, nga i njëjti komb. Edhe fakti se lajmi për Putinin u mor ‘me lehtësi’, ka prapë lidhje me vdekjen e Stalinit.
Vdekja e Stalinit është trajtuar si një komedi.
Po pse vallë tragjedia e tiranëve luhet në masa si një komedi? Kjo është pjesa enigmatike. Vallë masat të helmuara me jetën e me tiranin nuk u ndjenë kurrë të lirë, dhe prandaj shijojnë komiken në post- jetën e tiranit, si një liri?
Lajmi i Putinit u dha dje nga Zelensky, nga jashtë Moskës, mijëra kilometra larg, në Paris. Lajmi i Stalinit, edhe ky u përhap nga jashtë Moskës, por vetëm disa kilometra larg.
“Diktatori ishte i shtrirë në dysheme, në një daçë të fortifikuar 84 kilometra larg nga Moska. Shtatë burra e panë dhe heshtën për tri ditë përpara se t’ia jepnin lajmin popullit sovjetik;
Kështu është e shkruar në përmbledhjen e faqes 28 të së përjavshmes Epoca të 7 prillit 1963.
Shtatë burrat ishin shtatë pasuesit e mundshëm të Stalinit. Lufta për pushtet në sy të kufomës së Stalinit, e kthyen post- vdekjen në komedi. Bija e Stalinit, Svetlana, kishte dëgjuar se ‘babai po jep shpirt’, siç zakonisht nuk jepet lajmi i plotë. Ajo vrapoi me një frymë e erdhi në daçë. Anëtarët e Byrosë Politike po dilnin nga daca pas përleshjes për pushtet.
Ishin Molotovi, Beria, Hrushovi, Malenkovi, Mikojani, Bulganini… Ata e dëgjuan si ra rëndë trupi i Stalinit, vunë syrin në vrimën e çelësit, e panë të shtrirë, por askush nuk guxoi të hynte në atë dhomë ku vdiq udhëheqësi. Kushdo që të guxonte do të akuzohej se ‘ ka vrarë Stalinin’. I pari ishte gati Beria të bënte akuzën. I dyti ishte gati Malenkovi të bënte ekzekutimin…
Askush nuk hyri, të gjithë po largoheshin nga vdekja: Sa nga vdekja e Stalinit aq edhe nga rreziku për vdekjen e tyre.
Kur po vraponin të gjithë, Svetllana mbërriti përballë tyre.
-Aaah!, sa mirë që të takojmë- i thanë, me mirësjellje. Po si është babai, si është shoku Stalin?, pyetën të bijën që po vinte.
Komedia arriti kulmin. Anëtarët e Byrosë e lanë Stalinin të vdekur dhe pyetën të bijën që ende nuk e kishte marrë lajmin.
Aty ranë të gjitha maskat e ‘ heronjve’ dhe u zëvendësuan me klounët. Vetë Svetlana, deri në atë sekondë, dhe vëllai i saj alkoolik, kishin qenë idoli i anëtarëve të Byrosë. Nikita Hrushov dhe Beria kishin pas marrë rolin e kujdestarit ndaj bijve të Stalinit. Njërit i i duhej fshehur vesi i keq i alkoolizimit, ndërsa e bija, Svetllana do të bëhej gati të zëvendësonte të atin, Stalinin, në krye të Bashkimit Sovjetik.
Por aty ra gjithçka; secili nisi luftën për vete.
Komedia u luajt nën një ballkon të vogël të shtëpisë s blinduar jashtë Moskës, Dacha Kuntsevo. Aty ku vdiq tirani. Aty ranë edhe planet e Stalinit për të lënë të bijën trashëgimtare.
Derisa erdhi puna që popujt sovjetikë të merrnin lajmin tragjik për ‘ vdekjen e Babait’, e tëra ishte kthyer në komedi dhe luhej në kupolën e lartë të Byrosë Politike.
Për vdekjen e parathënë të Putinit, dje në 27 Mars, gjithë komedia u luajt në marrëdhëniet mes pushtuesit dhe viktimës në ish- Bshkimin Sovjetik. Por edhe më gjerë: Kjo mund të kthehet në komedi mes vetë popujve dhe kontinenteve.
Që në fillim të komedisë shtrohen disa pyetje:
E para, pse vallë për tiranët mund të shkruhen dhe luhen vetëm komedi? Nuk ka bir nëne që të shkruajë a luajë dramë ose triller, ose melodramë, ose koncert, përveçse komedi. Ka një shpjegim: Se dramën nuk e ka pësuar tirani dhe prandaj nuk ka asnjë shenjë në jetën e vet që të ketë përjetuar si dramë, as si lavdi. Kur ikën tirani nuk ka aq shuma kohë sa të pastrojë atë që lë pas; dhe tirani lë pas pisllëkun, vrasje, vjedhje, tortë, shpifje…, të gjitha sende komike.
Dhe pyetja e dytë:
Pse vallë u dashkan dhënë lajme të gëzuara për vdekjen, qoftë edhe të tiranit?
Presidenti ukrainas Zelensky, dhe tha se pas vdekjes së Putinit ‘punët do të zgjidhen!’. Po pse vallë edhe në këtë shekull duhet pritur vdekja e tiranit që popujt të shpëtojnë prej tij? Kjo është jo komedia, nuk është më komike, por vetë tragjedia.
Edhe ne shqiptarët, mes gjithë popujve të botës, tiranët i kemi gjetur vdekur në shtratin e tyre. E rëndë.
Rëndesë popujsh që zor se kthehet në komedi.
Komente