Në një reagim për rrjetin e gazetarëve BIRN, Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje kryebashkiakut të Tiranës, duke deklaruar se Erion Veliaj do të qëndrojë në detyrë.
Rama e cilëson ndalimin e tij në shkelje të standardeve demokratike dhe se dosja hetimore ngjan me një roman voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe të bashkëshortes së tij. Rama tha se në dosjen e Veliajt nuk ka një çështje konkrete korrupsionit.
“Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta.
Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike.
Qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe i kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar”, ka deklaruar Rama për BIRN.
Komente