Rreth 40% të gjithë emigrantët ilegalë që kalojnë me gomone dhe mjete të tjera lundruese ngushticën midis Francës dhe Britanisë së Madhe, në drejtim të kësaj të fundit, janë shtetas shqiptarë.

Kjo  e dhënë befasuese së bashku me të tjera ishte lajm në disa media britanike, në veçanti të Daily Mail e cila saktësoi se burimi i të dhënave është një raport sekret i shërbimeve sekrete britanike.

Shifrat janë të qarta. Vetëm në periudhën 1 qershor-12 korrik, numri i shqiptarëve që kanë mbërritur ishullin britanik ishte 1075, ose 37.5% i totalit. Vendet e tjera vijnë shumë pas, boll të mendosh se shqiptarët pasohen nga iranianët me 375 në të njëjtën periudhë, afganët me 363, dhe vende të tjera në luftë si Iraku me 217, Siria me 162 dhe Eritrea me 163.

Ardhja  e shqiptarëve nga brigjet franceze sipas raportit është shtuar në mënyrë domethënëse gjatë vitit të fundit, nga momenti që vitin e kaluar në total shqiptarët ishin vetëm 757.