Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mos shkarkimin e Presidenti Meta, ende nuk ka një reagim zyrtar nga mazhoranca. Por ministrja e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin, Elisa Spiropali, në fjalën e saj në seancën e sotme plenare, edhe pse nuk e përmendi me emër ia dërgoi disa mesazhe Metës pas këtij vendimi.

Teksa po fliste për reformën në drejtësi dhe pavarësinë që po krijojnë çdo ditë e më shumë institucionet e reja gjyqësore, Spiropali tha se ndonjëherë, ndonjë prej këtyre institucioneve, intimidohet por po ndryshojnë, duke lënë të nënkuptohet një intimidim të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim që mori dje.

Një tjetër fjali si mesazh për këtë vendim Spiropali e kishte kur tha se pavarësisht se dikush që është në krye të shtetit mendon se do t’ia hedhë, drejtësi do të ketë për të gjithë.

“Nuk ia hedh dot sepse në fund gjykon sovrani.  Pavarësisht se sa komisione ngrihen ne do të presim me mençuri dhe me durim derisa i fundit të marrë atë që meriton. SPAK të shikojë mirë dosjet që flenë aty, t’i heqin pluhurin, t’i hapë ato. E mbani mend besoj ato hetimet për CEZ-DIA. Ne jemi të vendosur, drejtësi për të gjithë.”, tha Spiropali.

Lajm në përditësim…

( Shqiptarja.com)