Nota mesatare për të gjithë maturantët që duan të vijojnë studimet e larta për degët e mësuesisë do të ulet nga 7.5 në 6.5. Këtë bëri me dije ministrja e Arsimit, Evis Kushi duke treguar se ky vendim i Këshillit të Ministrave vjen pasi ka shqetësime nga universitetet se në këto programe ka pak regjistrime për shkak të kriterit të notës mesatare.

Megjithatë, edhe pse vijojnë studimet për mësuesi, nuk mund të bëhen mësues. Këta studentë mund t’i drejtohen profesioneve të tjera si përkthyes apo të punojnë në institucione të tjera. Për ata që duan të bëhen mësues, do të vijojnë masterin me mesataren 7.5.

“Me reformën e mësuesisë në vitit 2017, sot të gjithë maturantët që vazhdojnë për mësuesi duhet të kenë minimumi mesatares 7.5. Por ndërkohë shqetësimet që kemi patur nga universitetet lidhen me faktin që këto programe jo të gjithë maturantët që regjistrohen, duan të bëhen mësues. Jemi të gjithë dakord që mësuesit duhet të jenë më të mirët, kemi një dakordësi edhe me universitetet që kriteri për ata që duhet të bëhen mësues kriteri duhet të jetë 7.5 por në këto programe mund të hyjnë edhe ata maturantë që duan të hyjnë në një profesion tjetër.

Për ta konkretizuar me një shembull. Jo të gjithë ata që vazhdojnë për gjuhë të huaj, duan të bëhen mësues. Mund të ketë nga ata që duan të vazhdojnë për gjuhë të huaj por të bëhen përkthyes, apo të punojnë në një institucion tjetër.  E njëjta gjë edhe për ata që studiojnë për Gjuhë-Letërsi. Jo të gjithë që shkojnë për Gjuhë-Letërsi duan të bëhen mësues.

Ka nga ata që janë të apasionuar pas letërsisë dhe duan të punojnë në një shtëpi botuese apo të shkruajnë. Me vendimin e sotëm ne u japim mundësi edhe maturantëve që mbarojnë studimet me mesatare 6.5 të hyjnë në këto programe të ciklit të parë, por ata do të kenë një kod të veçantë në numrin e matrikullimit që më pas të mos vazhdojë për mësuesi por në programe të tjera të ciklit të dytë master për profesione të tjera.

Është një ndryshim të cilin ne e kemi dakordësuar  edhe me vetë universitetet dhe presim që në vitin e ardhshëm akademik numri i studentëve që regjistrohen në këto programe të jetë më i lartë”, tha Kushi.