Gjyqtarja Shpresa Beçaj ka mbetur jashtë sistemit të drejtësisë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin e Komisionin e Pavararur të Kualifikimit (KPK), që e shkarkoi në vendimin e 3 korrikut për shkak të problemeve të pasurisë dhe figurës.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 55/2020, datë 07.12.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Shpresa Beçaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 270, datë 03.07.2020.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 270, datë 03.07.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Shpresa Beçaj. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 01.12.2022”, thuhet në vendim.

Emri i gjyqtares Shpresa Beçaj lidhet me disa çështje të rëndësishme, si  nga implikimi në videoskandalin e Metës deri tek pushimi i dosjes së Bashës për lobimin rus.

Kush është Shpresa Beçaj, çështjet për të cilat është përfolur, karriera dhe vendimet më të bujshme?
Zonja Beçaj ka lindur në Kukës dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në vitin 1983. Me mbarimin e fakultetit është emëruar fillimisht kryesekretare në Gjykatën e Gramshit dhe më pas këshilltare në këtë gjykatë. Në 1987 është emëruar gjyqtare në Gramsh dhe më vitin 1990 gjyqtare në Tiranë. Në vitin 1994 është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa 10 vite më vonë, në 2004, është emëruar me dekret të Bamir Topit kryetare e Gjykatës së Lartë.

Ndërkaq, emri i Shpesa Beçajt u përmend në një kontekst komprometues nga Ilir Meta në videoskandalin në zyrën e Dritan Priftit, publikuar në vitin 2011, duke tronditur opinionin publik dhe bërë bujë edhe në arenën ndërkombëtare. Në atë kohë Meta ishte ministër i Jashtëm në qeverinë e Sali Berishës, ndërsa Prifti ministër Ekonomie, i propozuar nga Meta. Duke folur për pazare koncesionesh, emërimesh dhe interesash të ndryshëm, Meta i thotë Priftit se i ka punën mirë me Shpresa Beçajn, pasi i ka emëruar vajzën si diplomate në Austri.

“Absolutisht po, apeli është i formës së prerë, t’i mund ta zbatosh, do ta çojnë më tej. Ata le ta çojnë, por prapë mbyllet, do të flas unë me Shpresën, i kam marrëdhëniet shumë mirë, i çova vajzën në ambasadë”, thotë Meta, duke i kërkuar Priftit të vepronte për një koncesion, në videon e njohur si  “blloku i zi” apo “7 përqindëshi”. Dhe e vërteta ishte se vajza e zonjës Beçaj ishte emëruar diplomate në Austri. Ajo u zëvendësua në këtë post një vit më vonë, pra në 2012.

Në zgjedhjet e 2017, vajza e Shpresa Beçajt, Selvi Beçaj, u kandidua nga LSI, me në krye Metën, në Kukës për deputete, por nuk rezultoi fituese.

Gjatë vitit 2012, Gjykata e Lartë shpalli Metën të pafajshëm, duke rrëzuar akuzat e prokurorisë, e cila kërkoi dy vite burg për Metën, për korrupsion aktiv. Beçaj nuk ishte pjesë e trupit gjykues, por kryetare e gjykatës. Kundër pafajësisë së Metës votoi vetëm Ardian Dvorani, i vetmi që i shpëtoi Vetingut, dhe që është vënë në shënjestër të sulmeve nga Meta dhe Berisha.

Zonjës Beçaj i mbaroi mandati në vitin 2013, por KLD me në krye Bujar Nishanin refuzoi ta kthente në drejtësi, si gjyqtare e Apelit, siç e parashikonte ligji. Beçaj fitoi përballjet gjyqësore me KLD. Në maji të vitit 2018, KLD, tashmë me në krye Ilir Metën, e ktheu zonjën Beçaj gjyqtare e Apelit në Tiranë.

Disa ditë më parë, Shpresa Beçaj ishte pjesë një turpe gjykuese në Apel, e cila la në fuqi vendimin e gjyqtarit Lazër Sallaku, për mbylljen e dosjes së Lulzim Bashës për lobimin rus. Dy anëtarët e tjerë ishin Alaudin Malaj dhe Shkëlqim Mustafa. Treshja ‘vulosi’ dosjen e lobimit, duke pushuar akuzën ndaj Lulzim Bashës, lidhur me pretendimet e prokurorisë për falsifikimin e dokumenteve në rastin e mosdeklarimit të 675 mijë dollarëve që kompania amerikane Muzin Capitol Partners kishte pohuar se kishte marrë për aktivitetet në favor të Partisë Demokratike. Pyetja se ku i ka marrë PD 675 mijë dollarë dhe pse nuk i ka deklaruar në KQZ sipas ligjit, ka mbetur pa përgjigje nga drejtësia.