Që prej nisjes së vitit akademik një pjesë e pedagogëve të universiteteve publike ka bojkotuar mësimin, duke protestuar për rritje të rrogës me 50% brenda dy viteve dhe rritje të financimeve për kërkime shkencore.

Deri tani, Qeveria ka refuzuar plotësimin e kërkesave duke vendosur rritje me 15%, të ndarë në 7% nga buxheti i shtetit dhe 8% nga të ardhurat e universiteteve. Pedagogët protestues kanë paralajmëruar se mund t’i përgjigjen me grevë urie. Kjo është një nismë e sindikatës së punonjësve të universiteteve për përshkallëzimin e protestës.

Javën e kaluar, gjatë protestës, pedagogët hodhën idenë edhe të një kontrate pune kolektive, që sipas tyre, mund të kishte shmangur gjithë situatën nëse do të ishte zbatuar më parë. Sipas tyre, kjo kontratë do të zgjidhte marrëdhëniet e stafit akademik, drejtuesve të universiteteve dhe qeverisë.

Ndërkohë, qeveria ka vendosur  më shumë para në dispozicion vitin e ardhshëm për arsimin. Buxheti i sektorit edukativ pritet të rritet në 47,2 miliardë lekë nga 45,7 miliardë që ishte këtë vit. Rritje do të ketë edhe buxheti për arsimin e lartë, i cili do të zgjerohet në 11,6 miliardë lekë nga 11 miliardë që është aktualisht.

Qeveria parashikon që me këto para të rriten pagat e personelit akademik, të mbështeten degët parësore, të jepen bursa, të investohet në laboratorë e kampuse universitare. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, buxheti për arsimin vitin e ardhshëm arrin në 3,33%, ndjeshëm më pak se objektivi prej 5% që qeveria ka shpallur vite më parë.