Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, do të vizitojnë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë kësaj jave, në Kiev.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi për shtyp i Von der Leyen, Eric Mamer, i cili nëpërmjet një postimi në Twitter, zbuloi gjithashtu se dy përfaqësuesit e lartë evropianë do të udhëtojnë edhe drejt Polonisë, për të marrë pjesë në një event në Varshavë, gjatë të shtunës.
Nëpërmjet kësaj të dhëne, mund të hamendësohet se takimi i dy zyrtarëve të lartë evropianë me Zelenskyn, mund të ndodhë të premten e 8 prillit.
Kjo vizitë, në sytë e analistëve të shumtë, shihet më shumë si një mundësi e shtuar për të treguar solidaritetin e Bashkimit Evropian karshi Ukrainës, në ditët e vështira që vendi ndodhet pas agresionit rus, me fillim në 24 shkurt.
BE-ja ka vepruar ndaj Kremlinit menjëherë pas sulmit rus, me sanksione shumë të ashpra të vendosura ndaj Kremlinit, ku i përfshirë ka qenë edhe vetë presidenti rus, Vladimir Putin.
Një tjetër aspekt, me anë të të cilit vendet e unionit e kanë ndihmuar Kievin, ka qenë duke i dërguar furnizime humanitare, deri edhe tek furnizime ushtarake, për të përballuar trysninë e ushtruar nga rusët.
Në terma konkretë, nuk dihet se çfarë do të diskutohet mes të treve, por i sigurt është fakti se BE-ja, kërkon të tregojë vijimësinë e mbështetjes ndaj Ukrainës dhe në një mënyrë, po i tregon edhe dhëmbët Rusisë e konkretisht, Vladimir Putinit.
Kryefjalë, mbetet uniteti midis vendeve perëndimore, në kauzën e Ukrainës.