Më shumë se 61 milionë qytetarë votojnë këtë të dielë (24.09) në Gjermani për Bundestagun e ri. Sondazhet nxjerrin kryesuese Angela Merkelin, por sa të fortë do të dalin populistët e djathtë?

Luftë deri në minutën e fundit: Deri të shtunën në mbrëmje, partitë dhe kandidatët e tyre luftuan për programet e tyre në Gjermani. Kancelarja Angela Merkel dhe kryetarja e CDU-së në zonën e saj zgjedhore pranë Detit Balltik, rivali i saj socialdemokrat, Martin Schulz në vendlindjen e tij në Ëürselen, Aachen. Edhe liberalët, (FDP), të Majtët dhe të Gjelbrit si edhe partia e djathtë „Alternativa për Gjermaninë”, AfD qarkulluan në të gjithë republikën federale për të fituar vota sidomos tek të pavendosurit.

Steinmeier bën thirrje për të votuar

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier iu drejtua me një apel qytetarëve të shkojnë të votojnë.

“E drejta e votës është e drejtë qytetare”, shkroi Steinmeier në gazetën gjermane  “Bild am Sonntag”. Kush nuk shkon të votojë, lejon „që të tjerët të vendosin për fatin e vendit tonë”, tha Steinmeier.

61 milionë gjermane janë thirrur të votojnë për Bundestagun e 19-të. 400.000 qytetarë më pak se në zgjedhjet e shkuara 2013.

Mesatarisht votuesi gjerman është 52 vjeç e me këtë moshë më i madh se kurrë më parë. Një e treta e votuesve madje është më e moshuar se 60 vjeç.

Fletëvotimet më të gjata

42 parti dalin kësaj here në votimet gjermane, në vitin 2013 ishin 34. Qendrat e votimit janë të hapura nga ora 08:00 në 299 zona zgjedhore dhe mbyllen në orën 18:00. Rreth 650.000 vullnetarë zgjedhorë kujdesen që të mos ketë probleme gjatë votimit.  Vota është e fshehtë, e çdo qytetar shkon i vetëm në kabinën e votimit. Kësaj here në ligjin zgjedhor është shtuar ndalimi i fotografimit në kabinë, pra asnjë selfie. Kush e publikon një foto të tillë penalizohet.

Gara për vendin e tretë

Shumica e politikanëve e presin rezultatin në Berlin. Sondazhet japin gjithmonë një orientim për rezultatin zgjedhor, por surprizat nuk përjashtohen. Shumë votues e marrin vendimin në kabinën e votimit për partinë apo kandidatin që duan. Interesante kësaj here është se cila parti do të renditet e treta. Të Gjelbrit, Liberalët, Të Majtët por edhe partia populiste, AfD shpresojnë që të dalin të tretët në këto votime. Por pavarësisht nga rezultati i AfD-së, Mbrojtja Kushtetuese në Gjermani do të ndjekë me vëmendje këtë parti. Ministri i Brendshëm gjerman,Thomas de Maizière u shpreh, se në të tërësinë e saj kjo parti nuk është ekstremiste, por Mbrojtja Kushtetuese kontrollon, „nëse ekstremistët e djathtë e marrin në dorë këtë parti.” (DW)

Veritas.com.al/