Fadil Kasemi është vrasësi gjakftohtë i ish-bashkëshortes së tij.Ai e vëzhgonte gjyqtaren Fildez Hafizi dhe sapo e ka parë të hynte në makinën e saj pa as më të voglin debat apo konflikt të momentit e ka qëlluar fatalisht.
Po ashtu ekzekutori nuk ka pritur t’u dorëzohet policëve, por ka marrë peng shoferin e një furgoni nën kërcënimin e armës duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Vrasësi i ka kërkuar drejtuesit të furgonit të mallrave ta çonte deri në qendër. Ai i është bindur fillimisht, por sapo ka parë një patrullë ka hapur krahun dhe ka dalë nga makina duke u kërkuar policëve të arrestonin personin e armatosur që gjendej në makinën e tij.
Policia e ka prangosur vrasësin dhe e shoqëroi atë në ambientet e Komisariatit Nr. 1, ku u vërtetua se ai ishte autori i ngjarjes së pak minutave më parë tek Xhamlliku.
Kamerat e sigurisë të bizneseve aty pranë kanë fiksuar dinamikën e ngjarjes. Hetuesit kanë shqyrtuar pamjet filmike nga ku del se ekzekutori e survejonte ish-gruan dhe i kishte zënë pritë asaj pasi doli nga një njësi shërbimesh.
Vrasësi dhe viktima nuk kanë shkëmbyer asnjë fjalë mes tyre.
Sipas hetuesve sapo ka parë 39 – vjeçaren të hipë në makinë, i është afruar dhe e ka shkrehur dy herë armën drejt saj nga një distancë jo më e madhe se 20 centimetër duke ia marrë jetën.
Nga dëshmitë e deritanishme del se vrasesi iu ka drejtuar dy femijeve që ka me Flidesen, një mesazh përkëdhelës ku i quan ‘zemra e babit’, por fëmijët ia kanë kthyer duke i thënë ” monster”. Gjatë hetimit ai ka thënë se gruan e vrau për arsye se nuk e linte të takonte fëmijët.
Veritas.com.al