(Autori i dyshuarArbër Papleka)
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka dhënë detaje në lidhje me vazhdimin e ngjarjes së rëndë që ndodhi një ditë më parë në Elbasan.
Gjithashtu burime jozyrtare thanë për Anila Hoxhën se veç Paplekës pritet edhe fletë arresti për disa të shoqëruar që ishin me të.
“Ndërsa ai vazhdon të jetë në kërkim policor, Klement Xhaferri, janë pyetur oficerë të Elbasanit të cilët kanë qenë të pranishëm në vendngjarje. Ata kanë treguar se si ndodhi konflikti, ku më pas do të ketë një njoftim zyrtar. Burime jozyrtare thonë se veç Paplekës pritet edhe fletë arresti për disa të shoqëruar. Bëhet fjalë për mbështetës të PD. Çështja po diskutohet me dy prokurorë. Gjatë hetimit disa prej të shoqëruarve nuk janë lënë të lirë. Shumica e tyre kanë dhënë deklarata pa interes për hetimin, por ka disa që kanë treguar se çfarë panë apo dëgjuan. Të afërmit e të shoqëruarve vazhdojnë t’i presin jashtë, sa të mbarojnë veprimet hetimore”, tha gazetarja Hoxha.
Në lidhje me arrestimet e tjera pritet të ketë një konferencë për shtyp.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin Open mbrëmjen e djeshme tregoi se si nisi gjithë ngjarja që përfundoi në vrasjen e Pjerin Xhuvanit e plagosjen e 4 të tjerëve në Elbasan.
Mehmet Greca është ndaluar nga mbështetës të PD-së pasi ata e kanë parë që po lëvizte me një makinë pa targa. Sipas saj, mbështetësit e PD-së kanë dyshuar se ai po shpërndante karta identiteti dhe para, edhe pse policia nuk ka gjetur asnjë provë pasi sekuestroi mjetin.
“Mehmet Greca është ndaluar nga mbështetës të PD-së. Sapo kanë parë se kjo makinë po shpërndarë karta ID dhe para kanë lajmëruar policinë. Pretendohet se nga krahu i majtë kanë ardhur mbështetës të Grecës. Policia ka thënë se nuk kishte para atje. Në këtë moment Papleka, ish-oficer i RENEA-s, ka qëlluar me armë dhe ka mbetur i vrarë në vend Pjerin Xhuvani. E paqartë në prova se kush i plagosi të tjerët, pjesa e PS apo ish-oficeri i Renea-s. Vijon të mbetet mister se kush ka qëlluar i pari. Nga pjesëmarrësit që janë në polici janë 12, 4 nga PS dhe 8 nga PD, kurse të tjerët janë dëshmitarë okularë. Papleka ka qenë një mbështetës i PD-së, i trajnuar prej vitesh si oficer, një baba i katër fëmijëve që jeton me qira në Tiranë”, tha Hoxha.
Kujtojmë se nga përplasja e mbështetësve të dy partive më të mëdha në vend atë të PD-së dhe PS-së mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të tjerë.
Efektivja e policisë, Xhensila Sota është në spitalin e Traumës bashkë me Emiljan Prengën dhe Pavlo Vuksanin, ndërsa Eltjon Bodinaku ndodhet ende në spitalin e Elbasanit. Sipas informacioneve, të katër janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
VERITAS.COM.AL