-Aksioni ushtarak amerikan orë pas ore-

14:29

Presidenti amerikan, Donald Trump, në një konferencë për media, ka konfirmuar se lideri i ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi është vrarë në një aksion mirë të organizuar nga forcat speciale amerikane në Siri.

Aksioni u organizua me ndihmën e forcave kurde dhe është cilësuar si një prej aksioneve më të mira kundër udhëheqësve të Shtetit Islamik.

 09:58

Lideri i Shtetit Islamik raportohet se është vrarë

Ushtria amerikane ka kryer një operacion kundër udhëheqësit të arratisur të grupit militant Shteti Islamik, raportojnë mediat amerikane.

Sipas shumë njoftimeve, Abu Bakr al-Baghdadi është vrarë, por lajmi nuk është konfirmuar ende.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan, Donald Trump, do të mbajë një “fjalim të madh” të dielën, por nuk dha detaje të tjera.

Trump, paraprakisht, shkroi në Twitter se “diçka shumë e madhe sapo ka ndodhur”.

Zyrtarët e cituar nga media të ndryshme thanë se forcat amerikane kanë sulmuar udhëheqësin militant në një sulm në veriperëndim të Sirisë.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se operacioni është zhvilluar, por nuk i konfirmoi spekulimet se Baghdadi është vrarë.

Udhëheqësi i Shtetit Islamik është raportuar gabimisht i vrarë në disa raste të mëparshme.

Baghdadi është përshkruar si njeriu më i kërkuar në botë.

Në tetor të vitit 2011, SHBA-ja e ka shpallur atë “terrorist” dhe ka ofruar një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për informacione që çojnë në kapjen ose vdekjen e tij.

Baghdadi ka lindur pranë Samaras, në veri të Bagdadit, në vitin 1971, dhe emri i tij i vërtetë është Ibrahim Awad al-Badri, transmeton REL.

Sipas disa raporteve, ai ka qenë klerik në një xhami në qytet, në kohën e pushtimit të Irakut nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, në vitin 2003.

Disa besojnë se ai ka qenë militant xhihadist gjatë sundimit të ish-liderit të Irakut, Saddam Hussein.

Të tjerë sugjerojnë se ai është radikalizuar gjatë katër vjetëve sa është mbajtur në Kampin Bucca, një strukturë amerikane në jug të Irakut, ku janë mbajtur shumë komandantë të Al-Kaidës.

Ai ka katër fëmijë me gruan e tij të parë dhe një djalë me gruan e tij të dytë.

Në muajin prill është shfaqur në një video për herë të parë në pesë vjet.

Në këtë video, vërtetësia e së cilës nuk është konfirmuar nga Radio Evropa e Lirë, Baghdadi ka thënë se Shteti Islamik do të marrë hak për vrasjen dhe burgosjen e luftëtarëve të tij.

VERITAS.COM.AL/