Bordi i Transparencës në Shqipëri, në mbledhjen e tij të radhës më 13 prill ka vendosur që çmimi me pakicë i naftës do të jetë 226 lekë për litër.

Benzina, nga ana tjetër do të shitet me 209 lekë për litër. Çmimi i gazit, vendosi bordi, në pikat e pakicës do të shitet me 115 lekë për litër.

Gjithashtu, Bordi njofton se çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën.

Vendimi i Bordit do të hyjë në fuqi dhe do të reflektohet më 13 prill, ora 18.00, deri në mbledhjen e ardhshme.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Normativ -pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me furnizues të naftës, paralajmëroi se do të ketë masa deri në mbyllje për abuzuesit me çmimet.

“Nuk do të ketë asnjë tabelë në çdo pikë karburanti ku do të shfaqet një çmim pa u aprovuar nga bordi. Kush e bën, do të humbasë karburantin”, deklaroi fillimisht Rama.

Referuar këtij vendimi, kryeministri ka sqaruar se “është luftë”.

“Nuk jam ideolog i tregut të lirë apo shtetit si fuqi diktuese në ekonomi, por thjesht e vetëm mendoj që liria ekonomike është themelore”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

Rama sqaroi se përfaqësuesit e qeverisë shqiptare dhe ministrja e Financave dhe e Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtori i Doganave dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës do të jenë në një tavolinë me pesë përfaqësues nga furnizuesit.