Lajmin e ka bërë të ditur ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, nëpërmjet një video mesazhi në median sociale Facebook.
Ajo e ka vënë theksin te se çdo vit e më shumë shqiptarë po vizitojnë SHBA-të, ashtu si gjithnjë e më shumë amerikanë po vizitojnë Shqipërinë.
“Tashmë do ta bëjmë më të lehtë për shqiptarët, të cilët duan të vizitojnë miqtë dhe familjen në Amerikë, të shohin vendet tona dhe të ndërtojnë marrëdhënie biznesi”, u shpreh Kim.
Kjo e fundit ka theksuar se tanimë shqiptarët do të kenë mundësi të shkojnë në SHBA në bazë të ligjeve dhe rregullave përkatëse, pa pasur nevojë që të rinovojnë vizën deri në vitin 2032.
“Vendimi i SHBA-ve për të zgjatur vlefshmërinë e vizës në dhjetë vjet pasqyron faktin, që shqiptarët gjithnjë e më shumë po ndjekin rregullat kur vizitojnë SHBA-të”, vijoi Kim.
Sakaq ajo tha se, “shpresoj që të gjejmë akoma dhe më shume mënyra për të afruar shqiptarët dhe amerikanët së bashku”.
“Ne presim me kënaqësi që t’ju mirëpresim në SHBA dhe presim me kënaqësi dhe 100 vite të tjera si miq. Faleminderit!”, e përmbylli ajo mesazhin e saj.