Ambasadorja amerikane Yuri Kim është parë sërish sot në Kryesinë e Kuvendit, pas takimit që zhvilloi dje me kryetaren Lindita Nikolla.

Kim në Kryesi pritet të zhvillojë sot një takim me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj. Ende nuk ka një informacion të konfirmuar për temën e bisedës së Kim me Alibeajn por situata e krijuar në PD pas marrjes së saj nga Sali Berisha mund të jetë çështja kryesore.

“Diskutim shumë i mirë sot me Enkelejd Alibeajn sot, kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike. Folëm për një gamë të gjerë çështjesh. SHBA ka pasur një marrëdhënie të fortë, të veçantë me PD që në lindjen e saj. Ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie dhe rolin e domosdoshëm të PD-së për Shqipërinë dhe shpresojmë që të forcohet”, shkruan Kim pas takimi.

Një tjetër temë bisede mund të jetë edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës, duke pasur parasysh se dje u raportua se kryetari i grupit Parlamentar të PD pati biseda informale me grupin negociator të Partisë Socialiste, Ballën, Spiropalin dhe Gjiknurin.

Burime për gazetarin e Report Tv, Ermal Qori bëjnë me dije se Yuri Kim do të zhvillojë nesër takim edhe me kreun e grupit të Partisë Socialiste, Taluant Balla.