Shkëlzen Berisha u paraqit këtë të mërkurë për herë të parë para GJKKO, për të dëshmuar mbi tragjedinë e Gërdecit. Gazetari Ermal Vija ka siguruar për ABC News, dëshminë e djalit të ish kryeministrit Berisha para trupit gjykues.

“2007-2008 kam punuar disa muaj në kompaninë “Eagle Mobile”. Kam qenë jashtë Shqipërisë kur ka ndodhur ngjarja. Ose nëpërmjet medias ose nëpërmjet familjarëve e kam mësuar ngjarjen. Me Aldo Bumçin njihem. Kam marrëdhënie miqësore për shkak të përfshirjes në politikë. Që prej 2004 e njoh. Bisedat me të kanë qenë personale. Nuk kemi patur biseda për ndonjë VKM. Nuk njoh njeri as kush e ka shkruar as kush e ka marrë faksin. Nuk kam bërë asnjë padi por jam në dijeni se Bumçi e ka bërë një të tillë. Me Mediun njihem prej 1994. Kam marrëdhënie personale e miqësore. Nuk kam patur biseda për demontim me Mediun. Kam patur një bisedë me Mediun ditën e ngjarjes, ka qenë bisedë personale për sëmundje (një anëtar i familjes së tij). Nuk kam patur zhvilluar bisedë tjetër përveç kësaj.

Mihal Delijorgjin e njoh si sipërmarrës. E kam takuar vetëm një herë në 2008, pasi një klient donte të blinte një objekti te kompleksi i tij. Për këtë çështje kam patur disa telefonata me të. Nuk e dija se me çfarë merrej konkretisht Delijorgji. 44 telefonata nga janari deri në mars, nuk kanë qenë telefonata për aktivitetin e tij në Gerdec.